Raporti i KE nxiti debat mes deputetëve shqiptar

Raporti i ri i përparimit të Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian sipas një praktike të zakonshme shihet me thjerrëza të ndryshme nga kreu politik në vend. Përderisa për pozitën ky është raporti më pozitiv deri më tani, për opozitën i njëjti paraqet një dokument me vërtetje të shumta.

 “Fokusi kryesor ishte për sundimin e të drejtës, reformat në gjyqësi lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe liritë e mediave. Fokusi i dytë ishte për pajtimin, bashkimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Fokusi i tretë ishte në sfidat ekonomike pasi që BE për momentin ka probleme financiare dhe ekonomike dhe komisioni dëshiron ti përgatis vendet të cilat mund ti bashkohen BE-së që sa është e mundur sa më shpejtë të zgjidhë këto sfida” – tha Aivo Orav, ambasador i BE-së në Shkup në hapjen e diskutimit.

Zëvendës kryeministrja Teuta Arifi e cilëson këtë Raport si më pozitivin deri më tani, duke shtuar se Raporti ka nënvizuar punën që akoma duhet bërë.

“Këtë vit mund të thuhet se kemi marr raportin më pozitiv deri më tani, por këtë nuk e themi vetëm për të qenë të kënaqur që kemi marrë një raport pozitiv, por këtë e themi për të nënvizuar punën e bërë gjatë tërë kësaj periudhe dhe për të nënvizuar edhe një herë punën që duhet bërë akoma më tutje për të realizuar obligimet që dalin nga dialogu në nivel të lartë dhe çështjet e integrimeve evropiane. Konstatuam se në këtë raport janë nënvizuar elementet e reformave në shumë fusha kyçe në të cilat për veç se nënvizohet e arritura jepen edhe udhërrëfyes se si duhet të vazhdohet në të ardhmen” tha Arifi.

Nga ana tjetër, deputeti i PDSH-së Zijadin Sela kërkoi përgjigje nga funksionarët kompetent, sidomos ata shqiptarë për raste konkrete që sipas tij janë të turbullta, si aksioni policor Monstra, por edhe ndërrimi jetë në burgun e Shtipit të ish pjesëtarit të UÇK-së Ibrahim Sulejmani. 

“Ministri i Drejtësisë, por edhe zëvendës kryeministrja për eurointegrime, nuk pres këtë gjë ta bëjë kryeministri i vendit, duhet të japin përgjigje, shumë përgjigje. Duhet të japin se pse Ibrahim Sulejmani ndodhej në burgje edhe pse para 10 vitesh ka pas një ligj për amnisti. Ose tjetra që duhet të japin përgjigje edhe zonja Teuta Arifi, edhe Blerim Bexheti por më tepër Ali Ahmeti, pse Ibrahim Sulejmani, i vetmi i dënuar ushtar i UÇK-së vazhdoi të qëndroj në burg edhe një vjet e gjysmë pas interpretimit autentik të ligjit për amnisti, dhe përgjigjja më e madhe që duhet të japin ky ministër dhe kjo qeveri pse Ibrahim Sulejmani sot nuk ndodhet mes nesh, nuk ndodhet pranë familjes së tij, ka lënë një fëmijë jetim” – tha Sela.

Ermira Mehmeti Devaja e cilëson Raportin si një udhërrëfyes të mirë për atë se ku duhet të orientohet vendi, duke aluduar në dialog politik dhe ndëretnik.

“Raporti thotë se amendamentet e vitit 2011 lidhur me ligjin për përparimin e gjuhës po implementohen ose janë implementuar. Pikërisht ky konkluzion flet për atë se ku duhet të shikojmë, nga duhet të drejtohemi dhe nga duhet të orientojmë përpjekjet tona për të ndërtuar një shtet të mirëfilltë demokratik multietnik” – tha Mehmeti Devaja.

Raporti i Komisionit Evropian përveç lëvdatave ka nënvizuar edhe shumë vërejtje që përsëriten gati se çdo vit. Gjithashtu, KE për të katërtën herë me radhë ka rekomanduar fillimin e bisedimeve mes Maqedonisë dhe BE-së./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button