Pribe: Për sundimin e së drejtës në RMV, duhen politikanë të pavarur

“Për sundimin e së drejtës në Republikën e Maqedonisë së Veriut(RMV), duhen politikanë të pavarur”, kështu deklaroi eksperti i drejtësisë nga Komisioni Evropian(KE), Rajnhard Pribe sot në konferencën “Sundimi i mirë dhe sundimi i së drejtës nga perspektiva e BE-së”, transmeton Portalb.mk.

Pribe deklaroi se për t’u zbatuar sundimi i së drejtës, duhet të ketë vullnet politik.

“Që të zbatohet sundimi i së drejtës, ata duhet të kenë vullnet politik. Në këtë mënyrë, mund të futet pavarësia në sistemin e drejtësisë. Sundim të së drejtës nuk mund të ketë as pa menaxhim demokratik”, tha Pribe.

Në konferencë, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.  Ai tha se, miratimi i Ligjit për Prokurori nuk është kusht për datën e nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian, por vlerësoi se, është mirë që Ligji të miratohet para muajit tetor, muaj ky që sipas tij u cilësua historik sepse “Maqedonia e Veriut do ta marrë datën”.

Këto deklarata vijnë pasi dështoi takimi mes kryeministrit të RMV-së, Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për Ligjin për Prokurori Publike, me të cilin definohet edhe e ardhmja e Prokurorisë Speciale Publike(PSP).

Përndryshe, në takimin shtatë orësh nuk u arrit marrëveshje për Ligjin për Prokurori Publike, pasi që siç deklaruan burime nga grupet negociatore, pushteti kërkon që në krye të PSP-së së ardhshme të jetë Villma Ruskovska, me këtë lëndët e PSP-së të kalojnë në PTHP, dhe të vlejnë lëndët që janë hapur deri më 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita ka kërkuar që në vend të Ruskovskës, në krye të PSP-së së ardhshme të jetë personi nga radhët e tyre, dhe lëndët deri në 30 qershor të shkatërrohen. Si zgjidhje, pushteti e ka futur në lojë edhe mundësinë e formimit të një Prokurorie të re, e cila do të përndjekë si pushtetin, edhe opozitën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button