Banorët e Radishanit në protestë: A duhet të humbë jetën ndonjë fëmijë që të vendosen policë të shtrirë para shkollës?
Prindërit e fëmijëve të shkollës fillore “Aco Shopov” në lagjen Radishani të Shkupit, nesër do ta bllokojnë rrugën Radishanska gjysmë ore, pasi më 5 shtator një fëmijë nëntë vjeç u godit nga një motor. Banorët thonë se kjo shkollë fillore gjendet në këtë rrugë vetë dhe se çdo ditë kanë frikë kur fëmijët e tyre shkojnë në shkollë.
Në këtë rrugë s’ka as policë të shtrirë as pengesa tjera që do të rrisin sigurinë dhe do t’i detyrojnë shoferët të ulin shpejtësinë.
“Jo vetëm motorët, por edhe makinat qarkullojnë me shpejtësi të lartë në këtë rrugë. Kemi kërkuar nga ish kryetari i komunës Butel e tani kërkojmë edhe nga kryetari aktual Velimir Smilevski për të gjetur zgjidhje. Por askush nuk po ndërmerr asgjë. Javën e kaluar një nxënës u godit nga një motor dhe u lëndua. Vallë duhet të vdesë ndonjë fëmijë që t’u bie në mend për të bërë diçka? Do të protestojmë çdo ditë nga ora 7 deri në 7:30 derisa kryetari i komunës Smilevski të tregojë interes për këtë problem dhe të na ofrojë masa të përshtatshme për të rritur sigurinë “, thonë prindërit e fëmijëve të shkollës “Aco Shopov”.
Javën e kaluar pas aksidentit me një nxënës të klasës së katërt, kryetari Velimir Smilevski tha se rruga Radishanska është nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, por që së bashku do të gjejnë zgjidhje për të rritur sigurinë në këtë pjesë të komunës.