80-vjeçari: Aishen e vrava, se më fajësonte mua për barrën

E qëllova me plumb nga pas dhe pastaj ia preva kokën me sëpatë. Kokën e keni te ferrat pranë arës me misër”.

Ky ka qenë deklarimi i tmerrshëm i Shaban Norjes, 80 vjeç, që zbardhi ngjarjen makabre të masakrimit të 18-vjeçares Aishe Vata nga Xhafzotaj i Durrësit, më 11 tetor 2012. 

Hetimet e bëra nga Policia e Durrësit bënë të mundur që, 4 ditë pas ngjarjes, të zbulohet autori, i cili tashmë ka pranuar fajësinë. Në shtëpinë e të moshuarit janë gjetur rrobat me gjakun e së resë, ndërsa po kërkohen nga policia sëpata dhe pistoleta. Shaban Norja ka pranuar se ka pasur marrëdhënie me viktimën, ndërsa burime të policisë thonë se Aishia ka qenë viktimë e abuzimit nga ana e të moshuarit që në moshën 14 vjeçe. 

80- vjeçari rezulton të jetë edhe babai i fëmijës që mbante në bark viktima, e cila në momentin e vrasjes ishte 11-javëshe shtatzënë. Sipas deponimit në polici, ky ka qenë edhe shkaku kryesor i debateve të bëra mes tyre, që u përshkallëzua më pas në masakrimin e së resë. Sipas policisë, koka e vajzës u gjet rreth 100 metra nga vendi ku u gjet trupi i saj. Shaban Selim Norja, ishte person i dënuar më parë me 9 vjet burgim, për vrasje të mbetur në tentativë. 

Shaban Norja, 80-vjeçari që pranoi se ka vrarë 18- vjeçaren Aishe Vata, ka rrëfyer gjakftohtë para policisë së Durrësit, natën e ngjarjes. “Gazeta Shqiptare” mundi të zbardhë dëshminë e tij, ku ai pohon detaje të lidhjes me vajzën. 

Sa kohë kishit që takoheshit me Aishe Vatën dhe ku takoheshit? 

Ka një kohë të gjatë, disa vjet u bënë. Takoheshim tek shtëpia që është në anë të rrugës. Ajo dilte natën, ishte një raport me dëshirë. Atë natë e kishim lënë të takoheshim sërish në orën 11, kur të sajët të ishin në gjumë. Unë kalova me motor, dhe e prita tek ara me misër. Aishia erdhi me rrobat që i kisha blerë unë, ia kisha bërë unë dhuratë ca ditë më parë. Shapkat i kishte marrë në dorë. 
Çfarë kishit për të sqaruar atë natë? Pse tek ara me misër dhe jo në shtëpinë në anë të rrugës? Pse e keni vrarë? 

Erdhi dhe ishte shumë e nxehur. Më tha që do t’ia merrte vesh familja që ishte shtatzënë. Më tha t’i gjeja një zgjidhje që atë natë. Unë e doja, e dija që fëmija ishte imi, nuk kisha asnjë dyshim.

Patët raport seksual atë natë?

U puthëm dhe u përqafuam, por vetëm kaq, sepse ajo ishte e nevrikosur. 

Pse ishte e nevrikosur, pse e vratë? 

Më pas u zumë shumë keq. Më tha qe do t’i tregonte babait të saj se çfarë i kishte ndodhur. Iu luta të qetësohej, duke i thënë që do të shkonte në shkollë të lartë dhe do gjente një mundësi për të hequr fëmijën. Më tha se nuk do të mundej dot ta hiqte, pa e marrë vesh familja e saj. Në dijeninë time ajo nuk i kishte thënë askujt për lidhjen që kishim pasur ne. Unë i thashë të abortonte, ta hiqte. Do ta gjente një mundësi, por ajo filloi të më akuzonte mua për të gjitha. Nuk durova më, por nxora pistoletën dhe e qëllova pas koke. Kisha edhe një sëpatë në motor. Shkova e mora dhe i rashë me një sëpatë në kokë. Më pas, ia mora kokën, e mbështolla me tri qese dhe e hodha në një ferrë aty afër. E hodha në mes të ferrave të mbështjellë, që të mos kishin mundësi qentë për ta ngrënë. U sigurova që koka ishte në mes të ferrave dhe nuk kishte asnjë mundësi që të pikasej nga qentë. Trupin e saj e fshiva, që të mos kishte njolla gjaku. Ishte aq e bukur, aq e mirë. 

Ku janë armët e krimit, ku shkuat më pas? 

E lashë atje në arë, dhe mora sëpatën e pistoletën që e mbaja gjithmonë me vete e i hipa motorit. Sëpatën e kam hedhur në ferra, pasi hodha kokën. Aty afër. Shkova në shtëpinë që kam në ruajtje, hoqa xhupin, se ishte mbuluar nga gjaku, dhe e lashë aty. Me motor shkova deri tek katër rrugët, dhe në lumin Erzen kam hedhur pistoletën që e qëllova. Shkova dhe ndenja në shtëpinë time më pas. 

Si u njohët me vajzën? 

Ishte shumë e thjeshtë. Mua një bashkëfshatar më ka lënë në ruajtje të tokës dhe të një banese aty pranë. Vajza kishte shtëpinë aty. Ne në fakt me familjen e saj nuk flisnim, sepse ashtu kemi pasur një konflikt në vitin 2008. Por Aishia vinte me dëshirë, ne kishim marrëdhënie seksuale me pëlqimin e njëri-tjetrit. Ajo vinte në shtëpinë që unë kisha në ruajtje. Ishte vajzë e mirë, e urtë, e bukur, por unë nuk kisha si ta merrja për grua, sepse ishte shumë e vogël para meje, as të mbaja fëmijë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button