Të themelohet çmimi “Hasan Prishtina”

Në përmbyllje të Konferencës Shkencore “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës”, ka dalë propozimi që të inaugurohet dhe ndahet Çmimi Vjetor Shtetëror “Hasan Prishtina”, për personalitete të shquara në sferën e krijimtarisë shkencore, arsimore, kulturore dhe diplomaci e shkenca politike.

Propozimin e dha prorektori i UEJL-së, Blerim Reka, i cili tha se si kurorë e kësaj konference shkencore dyditore, inaugurimi i këtij çmimi do të jetë edhe një respekt më shumë veprimtarinë atdhetare të patriotit të madh Hasan Prishtina.

Propozimin e ka pranuar drejtori i ITSHKSH-së, Shefqet Zekolli, duke e marrë përsipër që kjo nismë të procedohet në institucionet përkatëse shtetërore.

Studiuesi FemiPushkolli, ka propozuar ndërkaq që në këshillin për ndarjen e këtij çmimi, të jenë persona me kompetencë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.

Ndryshe, sot në sallën e komunës Çair të Shkupit, vazhdoi senaca e tretë dhe e fundit e konferencës shkencore, ku referues nga të gjitha trojet etnike shqiptare, paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me figurën madhore të Hasan Prishtinës.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Qemal Murati, tha se kishim mbi 40 kumtesa nga studiues të njohur të shkencave humane nga vendi dhe jashtë, duke marrë konferenca edhe karakterin mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar.

“Kjo konferencë shënoi arritje të re të rëndësishme rreth figurës poliedrike të Hasan Prishtinës”, theksoi Murati.

Lajme të ngjashme

Back to top button