Netanyahu premtoi se do të aneksojë vendbanimet në Bregun Perëndimor
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu premtoi sot se do të aneksoi të gjitha vendbanimet e pushtuara të hebrenjve në Bregun Perëndimor, njofton REL.
Këto komente ai i bëri gjatë inaugurimit të një shkolle në një prej vendbanimeve të reja.
“Me ndihmën e Zotit ne do të zgjerojmë sovranitetin e hebrenjve në të gjitha vendbanimet si pjesë e tokës së Izraelit, si pjesë e shtetit të Izraelit”, tha sot Netanyahu gjatë fjalimit të tij në vendbanimin Elkana, që gjendet në Bregun Perëndimor.
Megjithatë, ai nuk tregoi se nuk do të ndodhë aneksimi i këtyre vendbanimeve.
“Kjo është toka jonë. Ne do të ndërtojmë një Elkana tjetër dhe një tjetër”, tha Netanyahu, i cili edhe gjatë muajit prill, disa ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, kishte bërë premtim të njëjtë, por i cili ende nuk është jetësuar.
Izraeli pritet të mbajë zgjedhje të reja parlamentare më 17 shtator.
Premtimet për aneksim vijnë në kohën kur Netanyahu dhe partia e tij, Likud po kërkojnë mbështetjen e votuesve të partive të së djathtës ekstreme, të cilët kundërshtojnë dorëzimin e tokës te palestinezët.
Palestinezët duan të krijojnë shtet në zonat e pushtuara si Bregu Perëndimor, Jerusalemi Lindor dhe Rripi i Gazës.
Mbi 400 mijë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, sipas shifrave zyrtare të Izraelit. Ndërkaq, sipas shifrave të Byrosë palestineze të Statistikave, në këtë zonë jetojnë 2,9 milionë palestinezë.