Krasniqi: Bisedimet për statusin e Kosovës kanë përfunduar në Vjenë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi të premten se bisedimet për statusin politik të Kosovës kanë përfunduar në Vjenë.
Ai këto komente i bëri në takimin me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fyle.

Ai tha se nga bisedimet për statusin politik, që kanë përfunduar në vjen ka dalë Plani Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisari, i cili është zbatuar në pjesën më të madhe të Kosovës dhe që në bashkëpunim me Brukselin dhe Washingtonin, duhet të zbatohet edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Por,sipas tij, politika e Beogradit me investimet në strukturat paralele serbe në veri ka për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Krasniqi në takimin me komisionerin Fule duke folur për procesin e integrimit tha se Kuvendi ka ngritur kapacitetet jo vetëm për miratimin e ligjeve, por edhe për mbikëqyrjen e qeverisë dhe kontrollin e agjencive, të cilat i përgjigjen.

“Do t’i kryejmë të gjitha çështjet që kërkohen dhe varen nga ne”, tha Krasniqi.

Në kumtesën e Kuvendit të Kosovës thuhet se Fule ka shfaqur kënaqësinë që Kosova ecën përpara, duke përmendur edhe gjërat e reja, substanciale që përmban Raporti i sivjetmë i Progresit për Kosovën.

Në të, ka theksuar Fyle, për herë të parë përmendet mundësia e anëtarësimit të Kosovës në BE, duke shtuar edhe përkufizimin e bërë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshin edhe respektimin e integritetit territorial, e që do t’u hap rrugën e të dy vendeve për në BE.

Ai ka sugjeruar që të gjitha ligjet që i miraton dhe të gjitha gjërat që i diskuton Parlamenti, të jenë në frymën e aqui communitare, sepse kjo do të jetë kusht për negociatat e ardhshme të Stabilizim Asocimit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button