RDK pyet: Kush do t’i paguajë përmendoret në Çair?

Kryetari i RDK-së në Degën e Çairit, Gykten Haziri, në një konferencë për mediat shpalosi qëndrimin e RDK-së në lidhje me vendimin e miratuar në Këshillin e Komunës së Çairit, për vendosjen e përmendoreve të reja në këtë komunë.

“Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh mbështetjen për vendosjen e përmendores së Hasan Prishtinës në Komunën e Çairit, por është thellësisht e habitur nga lajmet e fundit se Komuna e Çairit ka miratuar ndërtimin e tre përmendoreve të tjera. Megjithëse në parim nuk është kundër ngritjes së përmendoreve të komuniteteve tjera, RDK njofton opinionin publik se mënyra siç po veprohet aktualisht, është absurdi i radhës”, shprehet Haziri.

Ai pyeti se kush do t’i mbulojë shpenzimet për ngritjen e tre përmendoreve të reja, ndërkohë që dihet se përmendorja e Hasan Prishtinës është dhuratë nga pasardhësit e tij.

“Si ka mundësi që Komuna e Çairit ku rreth 60% e banorëve janë shqiptarë, të ngrejë përmendore, 75% e të cilave do të jenë të joshqiptarëve, ndërsa nuk ka ndarë asnjë denar për përmendoren e Hasan Prishtinës? A nuk është luks i tepruar harxhimi i parave për këto përmendore, në kohën kur infrastruktura e Komunës së Çairit ndodhet në mjerim?” – pyeti Haziri.

Sipas tij, nuk është hera e parë që zyrtarët e BDI-së të bien pre e ligjeve dhe procedurave të cilat vetë ata i kanë miratuar në parlament, por që pastaj bëhen pengesë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në praktikë./Portalb  

Lajme të ngjashme

Back to top button