Besimi: Gjuhën shqipe e lejon Kushtetuta

Gjuha maqedonase, sipas ligjit, është gjuhë zyrtare në ARM, por në lidhje me fjalimet nuk ka asnjë kufizim të paraparë me ligj. Këtë e tha ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase, i pyetur në lidhje me fjalimin e tij të mbajtur para kadetëve të Akademisë ushtarake në Shkup.

“Në ligj definohet qartë se gjuha maqedonase është gjuha zyrtare. Në komandë, në armatë, në urdhrat e shkruara. Atë që unë e kam thënë ose e kam bërë ka të bëjë me fjalimet, një gjë që, mund ta bëj edhe në ueb-faqen tonë, dhe që është në përputhshmëri edhe me Kushtetutën e cila parasheh se në qoftë se mbi 20 për qind e qytetarëve e flasin atë gjuhë, mund ta përdorin gjuhën e tyre. Në ARM gjuha shqipe përdoret gjatë dhënies së betimeve, dhe kjo është edhe në dokument të shkruar, ku krahas gjuhës maqedonase, duhet nënshkruar edhe dokumentin në shqip. Përveç kësaj, nuk është hera e parë që unë drejtohem në shqip. Që nga emërimi im, jo vetëm si ministër i Mbrojtjes, por dhe si i Ekonomisë, në fjalimet e mia lexoj ose flas, krahas maqedonishtes, edhe në shqip por dhe në anglisht, varësisht nga auditori. Dua të them që ai moment nuk ishte diçka e re, por më shumë si një sensacion. Nuk e ndjeva si të nevojshme që ta shpjegoj më tutje”, u shpreh Besimi. 

Në pyetjen se pse rasti i Sllupçanit fitoi aq shumë publicitet, Besimi u përgjigj se me këtë u hap një çështje kyçe për bashkëjetesën në Maqedoni, për qasjen gjithëpërfshirëse në vend, që të jetë një model për shtet anëtar të BE-së dhe NATO-s.

“Shtetet anëtare të BE-së i promovojnë vlerat e ndryshme të respektimit të dallimeve, kuptimit të ndërsjellë dhe përforcimit të besimit. Kjo në Maqedoni është një çështje që këto 11 vite pas Marrëveshjes së Ohrit nuk është diskutuar në opinion e as në politikën e vendit dhe mendoj se është një çështje që duhet zgjidhur. Domethënë, në mënyrë të barabartë të respektohen të gjithë dhe t‘u jepet mundësia për t’u integruar në shoqëri, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Kjo është një ndër mënyrat se si duhet shikuar ardhmëria në Maqedoni”, tha Besimi./Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button