Bllokimi i rrugëve në Strugë, Merko takohet me komandantin policor

Kryetar i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe komandanti i Stacionit policor të Strugës, Valon Hani kanë realizuar një takim me kryesinë e Bashkësisë Lokale të Misllodezhdës, ku është diskutuar për situatën më të fundit në këtë lokalitet.

Sipas banorëve të këtij fshati, takimi ka qenë i mbyllur, por merret vesh se kryesisht është diskutuar për situatën më të fundit në këtë fshat pas bllokimit të rrugës nga banorët lokal për mjetet transportuese që bëjnë mbartjen e lëndës drusore.

Ndërkohë, ”Portalb” informohet se nga Bashkësia lokale e Misllodezhdës, Merkos dhe Hanit i është përciellur qëndrimi se rruga do të vazhdojë të jetë e bllokuar deri në momentin që një Komision do të verifikojë dëmin e shkaktuar nga prerja e pakontrolluar e pyllit në afërsi të këtij fshati.

Ndryshe, prej më shumë se një jave banorët e fshatit Misllodezhdë të Strugës në shenjë pakënaqësia ndaj prerjes të pakontrolluar të pyjeve në afërsi të fshatit të tyre në mënyrë të organizuar bllokojnë rrugën për kalimin e kamionëve dhe mjeteve të tjera që janë përfshirë në transportin e druve. Misllodezhdarët deklarojnë se u detyruan të ndërmarrin këtë veprim pas një sërë kërkesash dërguar Njësisë së ”Makedonski Shumi” në Strugë, të cilat nuk u morën asnjëherë në shqyrtim nga kjo kompani publike që ekonomizon me pyjet në këto anë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button