Tetova ka nevojë edhe për një kopsht, 300 fëmijë janë në listë të pritjes

Lista e pritjes në kopshtin e fëmijëve “Mlladost” në Tetovë pritet të arrijë madje 300 fëmijë. Nga shtatori, kur të fillojë regjistrimi, katër objektet në qytet dhe qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve në katër zona rurale do të kujdesen për rreth 860 fëmijë, por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Interesimi i prindërve po rritet dita ditës. Nëse vitin e kaluar në listën e pritje kishte 180 fëmijë, këtë vit pritet të aplikojnë deri në 300. Një nga arsyet është se shumica e kopshteve të qytetit janë rinovuar dhe me pajisje moderne, ndërsa edhe prindërit janë gjithnjë e më të vetëdijshëm se kopshtet janë vendi i duhur për socializmin e fëmijëve të tyre, transmeton SDK.

“Për momentin, në listën tonë të pritjes kemi mbi 250 fëmijë, ndërsa çdo ditë po vijnë  prindër me kërkesa të reja për fëmijët e tyre, kështu që me siguri mund të themi se deri në shtator ky numër mund të rritet në 300. Meqenëse kapacitetet tona tashmë janë mbushur, e kemi patjetër t’i shënojmë në listë të pritjes. Përmes bordit drejtues të kopshtit të fëmijëve, kemi parashtruar kërkesë në Këshillin e Komunës së Tetovës për të marrë vendim që të mund të pranojmë fëmijë mbi kapacitetin ekzistues. Ashtu do të mund të regjistrojmë gjithsej 1.000 fëmijë, përkatësisht edhe një pjesë të atyre të cilët janë në listën e pritjes”, thotë Ramie Dauti, drejtore e “Mlladostit”.

Interesimi për pranim të fëmijëve në kopshte po rritet nga viti në vit, ndërsa në qytet me vite nuk është hapur ndonjë kopsht i ri. Tre ose katër vjet më parë filloi rindërtimi intensiv i objekteve ekzistuese. Deri më tani është rinovuar pjese e brendshme e tre objekteve, ndërsa i katërti do të rinovohet gjatë pushimit dimëror. Por pavarësisht kësaj, Tetovës i duhet të paktën edhe një kopsht i ri për të kënaqur interesin e madh.

“Ka disa vite që ndjehet nevoja për të ndërtuar një kopsht të ri në Tetovë. Së shpejti presim që të zgjidhet edhe kjo çështje. Projekti ideor për kopshtin e ri është hartuar dhe aprovuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa fondet janë siguruar përmes programit IPA, kështu që pritet që gjatë kësaj vjeshte të shpallet tenderi”, shtoi Dauti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button