Gjuha shqipe me përdorim të përgjysmuar në Kuvend

Udhëtimi zyrtar i Trajko Veljanovskit në Sllovaki pamundëson mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Me seancën plenare mund të udhëheqin edhe nënkryetarët e Kuvendit, por atë nuk e kanë bërë në tre muajt e fundit, që nga kërcënimi i deputetëve të PDSH-së se do të bllokojnë seancën në momentin që me të udhëheq ndonjëri prej nënkryetarëve, përveç deputetes së BDI-së Suzana Saliu.

“Natyrisht që PDSH mbetet në qëndrim e saj, derisa nuk respektohet ajo që është e shkruajtur në rregullore, atë moment që kryetari i Kuvendit do të kërkojë pauzë dhe nuk vjen e para nga nënkryetarët, ngaqë nuk ka udhëhequr në seancë tani më një vjet e gjysmë, nëse nuk zëvendësohet nga Suzana Saliu, në atë moment ne do e bllokojmë foltoren. Jo që ngelet vetëm PDSH në këtë qëndrim, por këtë e ka të qartë edhe Trajko Veljanovski, edhe VMRO DPMNE, që kur del me një qëndrim PDSH nuk lëviz nga ai qëndrim. Prandaj që nga 24 korriku Trajko Veljanovski në momentin që nuk mund të jetë prezent nuk ka seancë plenare sepse e din që ne do e bllokojmë Parlamentin në atë rast. Këtë e kanë të qartë edhe Trajko Veljanovski edhe VMRO DPMNE sepse e dinë me kë kanë të bëjnë punë. E dinë që PDSH nuk është BDI që të luajnë si të ju kujtohet siç ishte rasti i fundit me mocionin e votëbesimit të Qeverisë kur Nikolla Gruevski nuk mbeti gjë pa ju thënë, ju tha edhe të ashtuquajtur luftëtarë dhe i ashtuquajturi tani komandant i UÇK-së shkoi dhe votoi për atë që e quajti të ashtuquajtur” – tha Ziadin Sela deputet i PDSH-së.

Kjo në fakt nxjerr në pah pasivitetin e Saliut, e cila edhe pse tashmë një vit e gjysmë është nënkryetare, dhe si pasojë ka koeficient më të madh të pagës mujore për dallim nga deputetët tjerë, deri më tani asnjëherë nuk ka udhëhequr as edhe një sekondë seancën plenare. Si arsye, deputeti i PDSH-së potencon obligimin e nënkryetarëve që të udhëheqin seancat në gjuhën maqedonase, që nxjerr në pah gjuhën shqipe të përgjysmuar në Kuvend.

“Pse Suzana Saliu nuk udhëheq me seancën plenare përgjigje duhet të japin ata që e kanë emëruar, pra BDI. Ne e kemi për obligim që ta mbrojmë atë si shqiptare që është, sepse në fund të fundit edhe një shqiptar mund të udhëheqë sepse kjo tregon se kemi kapacitet si shqiptar të Republikës së Maqedonisë. Mund të jenë disa shkaqe, ndoshta me që nënkryetarja e Kuvendit Suzana Saliu duhet të udhëheq në Maqedonisht, sepse kështu është me ligj. Me këtë do të dale në shesh edhe një gënjeshtër e BDI-së e cila nuk heziton për çdo ditë të dalë në mediume dhe të thotë që kanë arritur shumë gjë të madhe, e kanë avancuar përdorimin e gjuhës shqipe, këtu u del gënjeshtra siç u dalin për ditë gënjeshtrat, siç ishte rasti me përdorimin e flamurit, kur këta këtu për çdo ditë dalin dhe deklarojnë se e kanë avancuar përdorimin e flamurit, nga ana tjetër nënkryetari i BDI-së dhe kryetari i Komunës Çair kur i sheh flamujt se janë për 1/3 më të vogël se flamuri shtetëror, nuk i pëlqen dhe shkon dhe i ndërron flamujt” – tha më tej Sela.

Ndërkohë edhe vet Suzana Saliu pranon që arsyeja pse ajo nuk udhëheq me seancën plenare janë dallimet që kanë me VMRO-në në interpretimin e amendamentit 5 të Kushtetutës që ka të bëjë me gjuhën shqipe.

“Para së gjithash edhe mendoj se sot nuk ka kushte teknike që të punon edhe seanca plenare, që të kemi edhe mbledhje plenare ngase edhe ju vet gazetarët jeni dëshmitarë se sot në mënyrë intensive po punojnë komisionet. Përndryshe do të kisha theksuar në këtë rast se ne me partnerin e koalicionit kemi dallime për interpretimin e amendamentit 5 të Kushtetutës që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe, sidomos me përdorimin e gjuhës shqipe për udhëheqjen e seancave plenare, në këtë rast do të kisha shtuar edhe atë se ligji për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për dallim që precizon se kryetari i Komisionit ka të drejtë të udhëheq me komisionin në gjuhën shqipe, një çështje e tillë nuk është precizuar për udhëheqësin e seancave plenare” – tha Saliu.

Ajo shton se në rast se tejkalohen dallimet, gjë që duket e vështirë, ajo është e gatshme të drejtojë seancën plenare.

“Mirëpo me ndryshimin e ligjit për gjuhën dallimet tona janë se ne këtë e interpretojmë, e kuptojmë se çdo i zgjedhur dhe i emëruar nga ana e parlamentit ka të drejtë ti drejtohet parlamentit në gjuhën shqipe, dhe këtu kemi dallime serioze me partnerin e koalicionit, pra derisa ne mendojmë dhe e interpretojmë se ligji është shumë i qartë se ka të drejtë përdorimi i gjuhës shqipe edhe gjatë seancave plenare, nuk e kemi këtë mendim dhe këtë përkrahje nga partneri i koalicionit. Përndryshe Suzana Saliu është e gatshme që të udhëheqë me seancat parlamentare në çdo moment” – përfundon Saliu.

Gjuha shqipe në Kuvend përdoret nga deputetët dhe ministrat në seancë plenare, nga kryetarët dhe anëtarët e Komisioneve, por jo edhe nga nënkryetarët e Kuvendit në seancë plenare. Mandatin e kaluar, kur nënkryetar ishte Rafiz Aliti, ai udhëhiqte seancat në gjuhën maqedonase./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button