RDK: Arroganca dhe rrugaçëria politike, mënyrë komunikimi e BDI-së

Ka reaguar me komunikatë për media Rilindja Demokratike Kombëtare ndaj komunikatës së djeshme të cilën e lëshoi BDI. RDK kritikon siç thonë nivelin e ulët të komunikimit publik të BDI-së, nga ana tjetër duke i quajtur ata rrugaçë të stadiumeve.

“Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh keqardhjen për nivelin e ulët të komunikimit publik të BDI-së, përmes personave që rrugaçërinë e tyre të stadiumeve po e kthejnë në fjalor politik” – thuhet në reagimin e RDK-së.

Sipas tyre, mënyra e tillë e komunikimit vjen si pasojë e dështimit të BDI-së, të cilat kjo parti mundohet ti paraqesë si fitore.

“E kuptojmë mjerimin e BDI-së që, në mungesë të argumenteve, nuk ka çfarë t’ju thotë shqiptarëve pos që dështimet e saj t’i paraqesë si fitore. RDK nuk mban përgjegjësi që BDI miraton ligj për zvogëlimin e flamurit dhe pastaj shkon ta heq atë me shkallë nga shtyllat; që nuk mund t’i ndërrojë emrat e katër shkollave sepse ligjet që ajo i ka votuar nuk ja lejojnë këtë; që himni shqiptar përdoret privatisht pa rregullim ligjor; që një dekadë i gënjen luftëtarët e UÇK-së dhe bën rolin e strucit kur Harun Aliu ekzekutohet në pritë dhe shokët e tij vdesin në rrethana të dyshimta burgjeve pa u amnestuar; që fjalori i Cërvenkovskit i ka mbetur si alibi e vetme për ta vazhduar dashurinë e tenderëve me Gruevskin dhe që i kanë lënë të drejtat e shqiptarëve jashtë rregullimit institucional, ndërkohë që zyrtarët e BDI-së i shijojnë benificionet e pushtetit” – thonë nga RDK.

Për epitetin e partisë përçarëse, me të cilin dje Bashkimi Demokratik Integrim iu drejtua RDK-së, këta të fundit thonë se vjen nga paniku i BDI-së nga fakti që në çdo cikël zgjedhor po humb nga katër deputetë.
 

“E kuptojmë shqetësimin e BDI-së për rritjen e dukshme të rejtingut të RDK-së edhe në anktetat e Pavel Shatevit të afërt me VMRO-në, aleatin e BDI-së, dhe faktin se humbja nga katër deputetë të BDI-së në çdo cikël zgjedhor (pa llogaritur boshnjakët) po e çon BDI-në drejt dështimit të plotë” – përfundon reagimi i RDK-së.

Akuzat e ndërsjella mes dy partive përmes mediave vinë pasi që dje RDK reagoi për mënyrën e sjelljes së BDI-së edhe pas votimit të mocionit për votëbesim, konkretisht në Komisionin për punë dhe politikë sociale, ku vazhdon heshtja e Talat Xhaferit, ndërsa më pas BDI u përgjigj me komunikatë për media, ku quajti RDK-në parti përçarëse dhe pa vizion./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button