Koreja e Veriut kërcënon me raketa SHBA

Koreja e Veriut deklaron se ka raketa që mund të godasin tokën e Shteteve të Bashkuara, në një deklaratë të lëshuar dy ditë pasi Koreja e Jugut publikoi nënshkrimin e një marrëveshjeje raketash me Amerikën. 

Deklarata thotë se bazat amerikane në Japoni, Guam dhe në tokën amerikane janë brenda rrezes së veprimit të raketave. Deklarata vjen pasi Seuli njoftoi të djelën se do të trefishonte kapacitetet e sistemit të tij të raketave. 

Peniani mendohet se po punon për një raketë me rreze të gjatë veprimi, por dy teste të fundit raketash përfunduan në dështim. 

Fqinjët e Koresë së Veriut thanë se testet e dështuara, në prill të 2009-ës dhe prill të 2012-ës, kishin të bënin me zhvillimin e sistemit të raketave Taepodong-2. 

Sistemi në fjalë, i cili analistët mendojnë se kishte si qëllim të përfshinte tokën amerikane brenda rrezes së veprimit, nuk ka pasur ende një testim të suksesshëm. 

Koreja e Veriut vazhdimisht bën retorikë të fortë kundër Seulit dhe Uashingtonit. Por shteti komunist zotëron raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme, si dhe artiljeri të drejtuar drejt Koresë së Jugut. 

Deklarata, e publikuar nga agjencia shtetërore KCNA dhe e atribuar ndaj Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes, thotë më tej se, “Peniani do t’i përgjigjet çdo armikue me armë bërthamore për bërthamore dhe raketë për raketë”. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button