Krerët e institucioneve vizituan selinë e BIK-ut

Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, krerët e institucioneve të Kosovës, kanë uruar myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava. Në mesazhin e tyre mbizotëron paqja, solidariteti dhe toleranca mes njerëzve.

Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e Kurban Bajramit e kanë vizituar krerët e institucioneve të vendit. Ndërsa presidentja e vendit Atifete Jahjaga ka kërkuar që në këtë ditë të shtohet kujdesi ndaj gjithë njerëzve, që kanë nevojë dhe që kjo festë t’i gjej të gjithë të përkushtuar dhe të vendosur që të përballohen sfidat që dalin përpara.

Kryeministri Hashim Thaçi, duke uruar qytetarët e Kosovës dhe udhëheqjen e Bashkësisë Islame të Kosovës, tha se “Kosova është shembulli i tolerancës ndërfetare, i zhvillimit të besimit, respektit të ndërsjellë”.

“Edhe sot kujtojmë të kaluarën tonë të ndritshme dhe krenare, kujtojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, kujtojmë sakrificën e qytetarëve të Kosovës për liri, duke marr energji për të ardhmen, dhe uroj të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë ditë të sakrificës, mirëkuptimit dhe solidaritetit”, ka thënë Thaçi, transmeton koha.net.

Urimet në Bashkësinë Islame kanë ardhur edhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Ai tha se kjo festë është tradicionale dhe është një ditë ku të gjithë duhet të jemi të bashkuar.

“Është bërë një ardhje tradicionale për festat e bajramit për t’i uruar myftiut të Kosovës dhe gjithë myslimanëve, urimet për këtë festë, që në familjet tona, familjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës të ketë pare, mirëqenie, begati dhe siguri për të ardhmen”, ka uruar Krasniqi.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Prishtinës, Isa Mustafa, ka uruar myftiun Tërnava.

“Kjo festë simbolizon solidaritetin dhe sakrificën, e që të dyja janë shumë të nevojshme për Kosovën”, tha Mustafa. “Që për të dyja ne kemi nevojë që të rrisin solidaritetin ndërmjet neve në Kosovë dhe me fqinjët, dhe po ashtu të sakrifikojmë në mënyrë që të realizojmë synimet që i kemi ne në këtë vend, të sakrifikojmë në kohë dhe në aspekte të tjera në mënyrë që të japim kontributin tonë maksimal për ndërtimin e vendit dhe për mirëqenie të qytetarëve”.

Myftiun Tërnava e kanë uruar edhe zyrtarë nga radhët e AAK-së, Kryeipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare etj.

Ndërsa, gjatë bisedës me të gjithë mysafirët, Myftiu si në lloj shakaje, u ka kërkuar atyre që të japin nga një rrogë për të kontribuar në ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë, gjë për të cilën ka marr edhe përgjigje pozitive./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button