PDSH: Me Monstrën sërish montohet proces kundër shqiptarëve

Rasti Monstra është një konstruksion i montuar kundër shqiptarëve sikur “Vreshtat e Rashtakut” dhe “Sopotit”. Me këto dyshime Partia Demokratike Shqiptare është paraqitur në seancën për pyetje deputetësh duke kërkuar sqarime nga kryeministri Nikolla Gruevski për rastin në fjalë për të cilin sot është afati i fundit i ngritjes së aktakuzës.

Deputetja Merale Izairi Ferati ka pyetur kryeministrin se në cilin front kundër NATO-s ka luftuar një nënë 60 vjeçare, një frizer, bujk, shitës i librave, shofer i kamionit dhe një zdrukthar. Kjo pasi vetë Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska në konferencën për shtyp pas arrestimeve tha se të arrestuarit dyshohen për ekstremizëm fetar dhe se janë pjesëtarë të grupeve terroriste që kanë luftuar kundër NATO-s në Afganistan dhe Pakistan.

Deputetja e PDSH-së nënvizoi se me këtë rast është shkelur prezumimi i pafajësisë, pas shpalljes së tyre si persona të akuzuar dhe jo të dyshuar.

Kryeministri Gruevski në përgjigjen e tij ka theksuar se mos të improvizohet me këtë rast dhe të mos manipulohet me ndjenjat e një bashkësie etnike, konkretisht asaj shqiptare.

“Qeveria aplikon standarde të njëjta ndaj të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo fetare dhe se nuk bëhet fjalë për një rast etnik, por për një vrasje dhe persona që kanë ndihmuar atë”- ka theksuar Gruevski duke shtuar se shembulli i dhënë nga deputetja është i pabazë.
 
Ai ka kërkuar që kjo vrasje të mos politizohet, por ti lihet organeve gjyqësore përmes procedurës transparente dhe ligjore të hetojë rastin dhe të thotë se ku është faji.

“Aksioni i MPB-së ka qenë në përputhje me standardet evropiane. Nuk duhet harruar se në mënyrë gjakpirëse janë vrarë pesë njerëz të pafajshëm. Ata kanë familje dhe kur të pyesni se si është gjendja e njërës palë, atëherë pyesni se cila është edhe gjendja e palës tjetër. Nuk guxon që këto raste të tilla të politizohen, për shkak se në të ardhmen do të inkurajohen struktura kriminale, të cilët do të vlerësojnë të gjejnë shpëtimin përmes përkatësive të tyre politike, fetare dhe etnike”, theksoi kryeministri Gruevski.
 
Në pjesën më të madhe të seancës së pyetjeve të deputetëve përgjigjet e mbetura të pyetjeve me shkrim i ka marrë deputeti i RDK-së Izet Zeqiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button