Konflikti i 2001-shit ndryshoi Maqedoninë

Interaksioni i përditshëm shoqëror mes maqedonasve dhe shqiptarëve ka qenë shkaku që konflikti në vitin 2001 të mos zgjerohet. Por, në Maqedoninë e pas-konfliktit dallimet etnike-fetare janë më të theksuara, vendi duket më i ndryshëm, andaj është shumë vështirë të parashihet çfarë roli do të ketë realiteti i ri në kohezionin shoqëror.  

Kështu vlerëson profesoresha e antropologjisë Vasiliki Neofotistos nga Universiteti shtetëror i New York-ut në Buffalo e cila para do kohe prezantoi librin e saj “Rreziku nga lufta – të jetuarit e përditshëm në Republikën e Maqedonisë”, transmeton javorja Globus.

Për Marrëveshjen kornizë të Ohrit, Neofotistos thotë se e njëjta pranohet me shumë kundërthënie në shoqërinë e Maqedonisë, sepse në mesin e maqedonasve ka shkaktuar njëlloj pasqyre se me ndryshimin e Kushtetutës kanë humbur shumë, ndërsa tek shqiptarët se është dashur të zbatohet që moti.

“Por, marrëveshja sigurisht ka konsoliduar dallimet etnike në mënyrën që nuk ekzistonte para 2001-it, shpesh herë në llogari të bashkësive më të vogla që jetojnë në Maqedoni. Theks i madh është vënë mbi maqedonasit dhe shqiptarët, por jo aq shumë bashkësive tjera që jetojnë në vend, si ajo turke, serbe, boshnjake, rome”, komenton Neofotistos, e cila ka magjistruar në Oksford (1997) ndërsa ka doktoruar në Kembrixh (2001).

Për Neofotistos, mos zgjidhja e çështjes së emrit është burim i pasigurisë, statusi i vendit vazhdon të jetë i pazgjidhur dhe krijon tension mes maqedonasve dhe shqiptarëve, duke shkaktuar kështu rivalitet ndëretnik. Shqiptarët thonë se dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së, pa dallim nga ajo se si do të quhet vendi, ndërsa maqedonasit janë më të vendosur kur është në pyetje çështja e emrit.

“Fakti që në Greqi ka krizë ekonomike është një moment i rëndësishëm. Se a është e interesuar qeveria ta zgjidhë çështjen e emrit tani është një çështje tjetër dhe kjo është jashtë domenit të hulumtimit tim”, u shpreh ajo. 

Për më tepër, mendon profesoresha e antropologjisë, shumë maqedonas janë skeptikë se bashkësia ndërkombëtare është neutrale, sepse liderët shqiptarë me efikasitet e shfrytëzuan diskursin e të drejtave të njeriut me qëllim që të tërheqin më shumë vëmendje./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button