Lojërat politike sërish “ngacmojnë” rastet e Hagës

Të mërkurën Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Ligjit për interpretim autentik të amnistisë me të cilin u mbyllën katër rastet e Hagës për ish pjesëtarë të UÇK-së që kishin të bëjnë me konfliktin e armatosur të vitit 2001. Iniciativa është e panevojshme, sipas ekspertëve, nga vetë fakti që vendimi për mos-hapjen e rasteve ishte politik dhe i miratuar me shumicë votash në Parlament për të mbyllur njëherë e përgjithmonë plagët e 2001-shit.
Deri te Gjykata Kushtetuese ka pasur tre iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të mbylljes së këtyre rasteve, por pas një heshtjeje të gjatë, ky institucion ka vendosur që tani të ngrit këtë procedurë.

“Ne do të shqyrtojmë iniciativën, do të diskutojmë, do të debatojmë dhe në fund do të sjellim vendim. Varësisht nga ajo se çfarë do të vendoset, nëse ne e anulojmë vendimin e Kuvendit atëherë gjyqet do të jenë në situatë siç ishin para Ligjit për interpretim autentik të amnistisë. Unë nuk mund të komentoj se çfarë do të bëjnë ata pastaj” – tha Branko Naumovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Juristi Mersim Pollozhani interpretimin autentik të ligjit për amnisti e cilëson si të rregullt dhe kushtetues, ndërsa hapjen e procedurës për kontestim nga Gjykata Kushtetuese e vlerëson si lojë të pandershme politike dhe shantazh që u bëhet shqiptarëve të Maqedonisë.

“Kontestimi vjen me vonesë të madhe, Ligji për amnisti është sjellë në bazë të Kushtetutës, është pranuar gati nga të gjithë subjektet politike shqiptare, është reflektuar në institucionet, është zbatuar, janë amnistuar pjesëtarët e UÇK-së.  Nuk pati iniciativë për kontestim të Ligjit para se të bëhet amnistimi, i cili nuk u bë shpejt e shpejt, por kishte atë rrjedhën e vet normale, dhe në qoftë se dikush kishte ndërmend ta kontestojë duhej ta kontestojë në atë periudhë, e jo pasi u krye amnistia. Kjo sipas meje është përsëri një lojë e pandershme për të shantazhuar pjesëmarrësit shqiptarë në koalicionin aktual. Partneri maqedonas në koalicion mundohet të dëshmojë se ata edhe tani mund të kërcënojnë, duke dërguar porosi partnerit të koalicionit se nëse ju nuk “bashkëpunoni” ne mund të veprojmë edhe kështu” thotë Mersim Pollozhani duke theksuar se BDI duhet treguar dhëmbët partnerit të koalicionit që ti ndal këto shantazhe.

Për analistin politik Albert Musliu nuk ka bazë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të interpretimit autentik të ligjit për amnisti, pasi ky interpretim u bë me marrëveshje politike, dhe sipas tij po të jetë nevoja duhet që edhe Kushtetuta ti përshtatet asaj marrëveshjeje.

“Besoj se Gjykata Kushtetuese do ta hedh poshtë këtë iniciativë dhe nuk do të konteston kushtetutshmërinë për shkak se nuk ka çfarë të trajton kushtetutshmërinë të një interpretimi autentik nga ana e Kuvendit. Nëse Gjykata Kushtetuese sjell një vendim të papranueshëm duhet të kemi edhe ndryshime kushtetuese. Ajo është marrëveshje e bërë, marrëveshje e cila e ka shumicën e nevojshme, dhe nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se nuk është kushtetuese, atëherë mund të ndryshohet kushtetuta dhe ti përshtatet nevojave të asaj marrëveshje politike”, thotë Musliu duke theksuar se ky është momenti më i papërshtatshëm politik për një gjë të tillë.

“Por se ku është qëllimi i Gjykatës Kushtetuese që ta hedh në procedurë këtë çështje pikërisht tani, për atë duhet që ato të deklarohen” – vlerëson Musliu.

Sipas interpretimit të miratuar më 19 korrik të vitit të kaluar, neni 1 nga Ligji për amnisti duhet të interpretohet ashtu që amnistia zbatohet ndaj të gjithë kryerësve të veprave penale të ndërlidhura me konfliktin e vitit 2001 përfundimisht me 26 shtatorin e vitit 2001, përveç për personat të cilët kanë kryer vepra penale të ndërlidhura dhe në lidhje me konfliktin, ndërsa kundër të cilëve Tribunali i Hagës ka ngritur procedurë. Në amnisti bëjnë pjesë edhe rastet “Udhëheqësia e UÇK-së”, “Neproshteni”, “Punëtorët e Mavrovës” dhe “Diga e Likovës” të cilat ishin procesuar në Gjykatën Tribunale të Hagës, por në vitin 2008 ata janë kthyer në kompetencë të gjykatave të Maqedonisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button