Kjo është data kur do të fillojë Dance With Me 6
Gjithçka është pothuajse gati për një edicion të ri. Për të gjashtin vit radhazi, Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu do të ngjitin në skenën e Televizionit Klan personazhe të njohur, në profile të ndryshme, të cilët shfaqin një aftësi tjetër të vetes para publikut – kërcimin.
Nuk është më surprizë! Dance With Me nis edicionin e 6-të më 16 shtator. Për plot pesë edicione me personazhe interesante, karaktere nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, politikës, biznesit apo shoqërisë civile, skena e kërcimit është kthyer në një arenë të gjallë argëtimi që ka qëllim të sjellë emocione të reja te publiku përmes sprovave të artistëve që nuk e kanë baletin dhe kërcimin pikë të tyre të fortë, transmeton Revista Class.
Këtë vit, personazhet janë edhe më të gjallë. Edhe këtë edicion, produksioni është treguar i kujdesshëm për të pasur një kast të larmishëm personazhesh, të cilët jo vetëm kanë dëshirë të kërcejnë, por sidomos të sfidojnë veten duke i dhënë publikut një profil tjetër nga ai që njohim.
Jashtë punës dhe profesionit të tyre, sfida e konkurrentëve të DWM është të shpalosin talentin në një fushë të panjohur, por njëkohësisht të fitojnë shpejt zemrat e publikut me komunikimin e tyre të hapur (me këtë rast, edhe të jurisë për të fituar disa pikë më shumë). Nën firmën Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut, si çdo vit, edhe këtë herë personazhet do të kombinohen në çifte për të qenë unikë.
Po cilët janë emrat që do të konkurrejnë këtë vit? Kush kërcen me kë? Këto pyetje do të marrin përgjigje shumë shpejt.
Po juria, a ka risi? Do të jetë Kledi edhe këtë vit? Edhe për këto duhet edhe pak kohë.
Në një postim në faqen e saj në Instagram, Alketa Vejsiu ka lajmëruar për datën kur do të nisë DWM 6, si edhe ka zyrtarizuar lajmin e drejtimit të festivalit të madh të RTSH-së. Së bashku me regjisoren Vera Grabocka, Alketa ka marrë timonin e një prej skenave historike të muzikës shqiptare, pavarësisht rrymave, lëvizjeve muzikore e sociale që ka kaluar shoqëria jonë. Siç shkruan Alketa, përherë e ka pasur ëndërr drejtimin e këtij festivali, i cili, asaj vetë i ka falur emocione të panumërta që nga fëmijëria e njëlloj do ta vazhdojë ta bëjë. Këtë vit, edhe më shumë.