Maqedonia feston Kurban Bajramin! Urime!

Sot besimtarët myslimanë në Maqedoni festojnë festën e Kurban Bajramit, e cila është një nga festat më të rëndësishme të besimit Islam. 

Në emër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, dekani i fakultetit teologjik Fahrudin Ebibi ka përcjellë mesazhin me rastin Festës së Kurban Bajramit. Ai mes tjerash tha se Festa e Kurban Bajramit në mënyrë simbolike e paraqet sakrificën, përkatësisht Kurbanin, akt ky i cili ngërthen në vete kuptime sublime me efekte pozitive gjithëpërfshirëse. Paraqet flijimin për çështje madhore, përkushtimin ndaj idealeve dhe arritjen e kënaqësisë së përhershme të Krijuesit të gjithësisë.

“Kam nderin që në emër të Reisul Ulemasë, haxhi Sulejman efendi Rexhepi të ju uroj të gjithë pjesëtarëve konfesionit Islam Festën e bajramit të Kurbanit, me shpresë që lutjet, adhurimet e ndryshme, sakrificat dhe veprat tona me interes të përgjithshëm e të sinqertë Allahu ti pranojë. Sigurisht se shpirti i kësaj feste është mishërimi i realitetit të cilin e jetojmë, i sinqeritetit dhe përkushtimit tonë ndaj vlerave humane. Është festë e cila me shumë forcë demonstron  dashurinë, respektin dhe nënshtrimin tonë ndaj rekomandimeve hyjnore!”, tha Fahrudin Ebibi, dekan i Fakultetit teologjik.

Sipas traditës, festa filloi me faljen e namazit të Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë dhe objektet e tjera fetare.

Me Kurban Bajramin mbaron dhe haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.

Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Sot festojnë Shqipëria dhe Turqia si dhe disa vende të tjera ndërsa besimtarët mysliman në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe në botën arabe nesër do të festojnë Kurban Bajramin.

Redaksia e Portalb të gjithë besimtarëve ua uron këtë festë të madhe fetare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button