Ivo Ivanovski frikësohet nga rregullimi i teknologjive të komunikimit?

Ministri i Shoqërisë Informatike Ivo Ivanovski, si pjesëmarrës në Kongresin botëror për teknologji informatike i cili mbahet në Montreal, Kanada, shprehu druajtje nga rregullimi më i madh qeveritar i teknologjive komunikuese, transmeton Radio Mof.

Ndonëse teksti i fjalimit të tij në kongresin nuk është publikuar, siç mund të shihet nga Rrjeti rinor global, i cili mori pjesë në kongresin, Ivanovski ka folur për “frikën e tij nga hiper-rregullimi i teknologjive të komunikimit”.

Ministri mori pjesë në panel-diskutimin së bashku me gazetarin e njohur Lari King, të birin e milionerit Karlos Slim dhe ekspertë të ndryshëm, ndërsa tema e bisedës ishte: “Epoka digjitale dhe ndikimi i shoqërisë sonë”.

Në kumtesën e Ministrisë së Shoqërisë Informatike për ngjarjen shkruan se si përfaqësues i Qeverisë së Maqedonisë dhe në cilësinë e anëtarit të këshillit të drejtorëve të Komisionit për internet të gjerë për zhvillim digjital dhe në Këshillin e Teknologjisë informatike botërore, Ivanovski së bashku me pjesëmarrësit tjerë propozuan korniza rregullatore të tregut të teknologjisë informatike-komunikuese.

“Ata konstatuan se dispozitat janë të domosdoshme, por njëkohësisht paralajmëruan se rregullat e rigoroze dhe të paqarta mund të kenë ndikim negativ mbi zhvillimin dhe inovacionet”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Propozim-ligji për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim, të cilin e propozon Qeveria në të cilin ministër është Ivanovski, muajin e kaluar shkaktoi komente shumë negative në opinion, veçmas mes shfrytëzuesve të internetit. Ata kritikojnë Qeverinë se pikërisht me këtë ligj propozohen rregulla rigoroze dhe të paqarta, me të cilat sipas tyre shumë më tepër do të rregullohet internet-komunikimi. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button