Belgjika kthen 51 shqiptarë, kërkuan azil politik

Autoritetet belge kanë kthyer sot në Shqipëri 51 persona, që kishin kërkuar azil politik në Belgjikë. Rreth orës 14:40, në aeroportin “Nënë Tereza”në Tiranë ka mbërritur aeroplani që transportoi shqiptarët nga Belgjika. 

Më pas ata, duke mbuluar fytyrën për të mos u filmuar nga kamerat, kanë hipur në një furgon policie, që i ka pritur në aeroport. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Hysni Burgaj ka përgëzuar operacionin për kthimin e qytetarëve që kanë shkelur afatin e vizës Shengen, ndërsa u shpreh se riatdhesimi i 51 shqiptarëve nga Belgjika është kryer me shpenzimet e fondit të buxhetit. 

“Sot organizohet operacioni i parë i suksesshëm mes Shqipërisë dhe Belgjikës për kthimin e mbi 50 shqiptarëve me qëndrim jo të rregullt në Belgjikë. Mesazhi është i qartë, për pak persona që nuk i dinë rregullat nuk do të mbartin pasojat qytetarët e tjerë që respektojnë me përpikmëri rregullat e vendosura tashmë nga BE. Pjesa më e madhe e tyre janë nga zonat e veriut. Ne do vazhdojmë kontaktet edhe me autoritetet e vendeve të tjera”, tha Burgaj./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button