Njollat e zeza gëlltisin arsimin

Mbetet i lartë numri i nxënësve që braktisin arsimin fillor dhe të mesëm, sidomos në viset rurale ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni.  Vendi ynë gjendet në fund të listës në rajon sa i përket sferës së inovacioneve dhe hulumtimeve shkencore.  Qeveria madje vazhdon të ul investimet ndërsa kapaciteti hulumtues edhe përkundër ekzistimit të Universiteteve dhe institucioneve tjera ngelet i ulët.  Janë këto disa nga vërejtjet që i ka shënuar Komisioni Evropian në raportin e fundit për Maqedoninë i cili u diskutua sot në seancën e Komisionit për arsim, shkencë dhe sport në Kuvend.

“KE ka vërejtje se edhe këtë vit janë zvogëluar investimet në hulumtim në Maqedoni, dhe Maqedonia gjendet në fund të listës në rajon dhe Evropë. Edhe pse me vite flitet për kapacitetin e dobët administrativ për promovimin e programit FP7 Qeveria vazhdon akoma me dy njerëz të punësuar të promovon këtë Program, që është një vërejtje serioze. Jo rastësisht deri tash R. E Maqedonisë ka shfrytëzuar 10 milion euro nga ky program, që është një shumë tepër e vogël nëse krahasohet me Slloveninë e cila ka thithur mbi 100 milion euro” – tha Zeqiri.

Ai theksoi se nuk ka buxhet dhe kapaciteti hulumtues edhe përkundër institucioneve të krijuara për këtë qëllim.

Në sferën e arsimit, edukimit dhe të rinjve, sipas Raportit të KE-së Maqedonia është nën mesataren e BE-së, posaçërisht në edukimin e parashkollorëve.

“Gjithashtu ekziston vërejtje për fëmijët e fshatrave rural që nuk kanë qasje në arsimin fillor dhe shkalla e lëshimit të hershëm të mësimit është akoma shumë e lartë posaçërisht të romët dhe shqiptarët. Ka vërejtje për mungesën e edukimit, zhvillimin dhe formimit të arsimtarëve. Vërejtje mbeten serioze edhe për kapacitetin institucional të qendrës për arsimim të të rriturve që është në nivel shumë të ulët” – thotë Zeqiri.

Nga ana tjetër, zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës Safet Neziri pranon se në sferën të cilën ai e udhëhiqet për sivjet nuk ka progres të madh krahasuar me vitet e kaluara.

“KE shënon se ka progres më të vogël, por nuk ka stagnim. Është konstatuar kyçje  e të rinjve në arsimin sipëror, rritje e numrit të nxënësve të cilët e përfundojnë arsimin e mesëm, zvogëlim i numrit të nxënësve të cilët e braktisin më herët arsimin e mesëm, e cila më herët ka qenë braktisje intensive e të tjera. Në raport thuhet se Maqedonia bën rritjen e infrastrukturës informatike, se forcojmë kapacitetet e shfrytëzimeve të IPA –  fondeve, forcim të investimeve në infrastrukturë respektivisht në restaurim të shkollave, sallave sportive e kështu me radhë. Ka vërejtje por ka edhe progres, ndërsa ne punojnë në këtë drejtim” – thotë Neziri.

Është fakt se përpos vërejtjeve të lartpërmendura Maqedonia përballet edhe me probleme tjera në arsim të cilat, edhe pse nuk janë të përmendura në Raport, vazhdojnë të jenë njollë e zezë permanente e arsimit në Maqedoni. Sa për ilustrim janë tekstet shkollore me gabime dhe tendencë antishqiptare, korrupsioni dhe nepotizmi në arsimin e lartë, si dhe rastet e fundit me mbylljen e paraleleve shqiptare në Podgorcë dhe ngrirjes së vendimeve për ndryshimin e emrave të shkollave në Çair./Portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button