Kuvendi i Kosovës shpërbëhet me 22 gusht

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka vendosur 22 gushtin si datë për shpërbërje të Kuvendit të Kosovës, ku edhe më pas do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, njofton gazetaxpress.com

Pasi mbaroi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka folur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

“Ne u dakorduam të gjithë së bashku se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgatitura mirë, të gjitha institucionet të marrin detyrat, të gjithë jemi pajtuar se me datë 22 gusht, në orën 10 të shpërbëhet Kuvendi dhe pastaj të ndiqen të gjitha procedurat sipas Kushtetutës për të shkuar vendi në zgjedhje, dhe gjithashtu u dakorduam se përpara shpërbërjes të miratojmë marrëveshjen ndërkombëtare IPA”, ka bërë të ditur ai.


Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot do të mbajë mbledhje për përcaktimin e seancës për shpërbërjen e Kuvendit.

Sot do të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ku do të fillojnë përgatitjet për të mbajtur seancën për shpërndarjen e Kuvendit.

Kryekuvendari Kadri Veseli ka qenë ai që ka ftuar Kryesinë, pasi refuzoi thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për të caktuar një mandatar të ri për kryeministër pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, shkruan lajmi.net.

“Kjo mbledhje ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme”, kishte deklaruar javën e kaluar Veseli.

Sipas tij, shteti nuk guxon të mbetet në vakuum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime.

Veseli po ashtu kishte theksuar se si kryetar i Kuvendit, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që vendi sa më shpejtë të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button