Shkup, shumë shitës, pak blerës të kurbanëve (FOTO)

130 euro e më shumë kushton një dash/dele për kurban, ndërsa çmimi i lopëve varion nga 500 euro e më lartë, thonë shitësit në Shkup.

Por, sipas tyre qytetarët më shumë vijnë të shohin e interesohen sesa të blejnë, pasi jo të gjithë kanë mundësi ta bëjnë këtë.

“Çmimet e kurbanëve nuk janë shumë të larta, varësisht nga malli ose kilogramët që kanë, një dele kushton prej 130 euro e më shumë” tha një shitës.

“Interesim nga qytetarët ka shumë dobët, nuk kan mundësi të blejnë, vijn vetëm shohin, interesohen por nuk blejnë. Një lopë kushton prej minimum 500 euro e më shumë, ndërsa desht e delet, prej 120 apo 130 euro e më shumë” tha një shitës tjetër.

Por qytetarët të cilët takuam në treg, thonë se gjendja ekonomike nuk lejon që ata të plotësojnë këtë kusht të Islamit.

‘Kemi dalë këtu vetëm të shohim se si sillen çmimet, nuk qënkan edhe aq të volitshme për rrogat që ne i marrim, nuk kemi mundësi të blejmë dhe të plotësojmë këtë kusht’ tha Ibraim M. nga Shkupi.

‘Të gjitha pregatitjet e Bajramit i kemi bërë, duke u nisur nga bakllava si zakonisht. Për Kurban jemi këtu të shohim si sillen çmimet, dhe nëse na lejojnë mundësitë do të blejmë një që të plotësojmë këtë kusht tonin’ tha Hisni V.

“Jo ne nuk kemi mundësi të blejmë kurban, çdo vit vetëm kështu dalim që të shohim si janë çmimet, sepse nuk kam mundësi, me një pagë 10 mijë denarëve, 5 anëtare, nuk mund tia dalim” tha një qytetar tjetër.

Ndryshe, Kurban Bajrami, ështe festë fetare Islame gjatë ditëve të të cilit myslimanët të cilët kanë mundësi financiare flijojnë kafshe në emër të Zotit dhe mishin e tyre e ndajnë tek të varfërit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button