Lëvdata, kritika e mospajtime pas rizgjedhjes së Isa Mustafës në krye të LDK-së

Mes shumë kritikash nga jashtë e brenda partisë, Isa Mustafa për herë të tretë mori besimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u bërë kreu i partisë.

Sot, Mustafa mori votat e 355 delegatëve të zgjedhur nëpër degë të ndryshme, dhe u rizgjodh kryetar i LDK-së.

Por Isa Mustafa, pavarësisht që mori besimin e delegatëve, jo të gjithë u shprehën të kënaqur me këtë rizgjedhje të tij, raporton Koha.net.

Kritikat e para erdhën nga partiakët e tij, Fatmir Sejdiu e Melihate Tërmkolli.

Lumir Abdixhiku, deputet në këtë parti, tha se të tjerët mund të kenë pritur ndarje, por LDK-ja mbetet bashkë.

“Mund të kenë pritur përplasje e përçarje. Kundërshtarë e komentatorë jo pak, mund të kenë pritur gjithçka – veçse jo një LDK bashkë. Kjo i trishton. Në momentet më kritike të Kosovës, LDK megjithatë mbetet bashkë. Me individë që para vetes vendosin Lidhjen dhe shtetin. Ajo vjen para zgjedhjeve si unike, me një shtëpi të fortë e me një lider që ka një ekipë të tanë pas. Me të, të gjithë bashkë, do të nisim orën e ndryshimit në Kosovë. Beteja jonë fillon tash. Tik tak!”, ka shkruar Abdixhiku.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, përmes disa ripostimeve e ka uruar Mustafën.

Urime mori edhe nga Vlora Dumoshi e LDK-së. Ajo ka shkruar në historinë e LDK-së, kryetari Isa Mustafa bënë pjesë në kapitullin e madh të fitoreve radhazi.

“Në këtë fitore të radhës do të triumfon përsëri me një qeverisje të ndritshme për Kosovën dhe me një LDK unike dhe të pamposhtur. Edhe këtë radhë delegatët e kuvendit qendror të LDK-së konfirmuan se kryetari Mustafa është njeriu kompetentë për të drejtuar çështjet madhore në vend. Na priftë e mbara. URIME! #LDK”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, Bajram Gecaj, ka uruar edhe fitore tjera të radhës.

“Urime rizgjedhja Kryetar, urime LDK, bashkë drejt sfidave dhe fitoreve të reja!”, ka shkruar ai.

Por analistët politikë në vend, si Vigan Qorrolli e Imer Mushkolaj, e kanë kritikuar këtë rizgjedhje.

Qorrolli ka shkruar se Mustafa e ka pasur hallin tek rizgjedhja kryetar e jo tek ndryshimet politike, ashtu siç kishte deklaruar deri pasa se të zgjidhej kryetar.

“Isa Mustafa me t’u rizgjedhur kryetar i LDK — i ndërroi fjalët. Deri para ca ditësh thoshte që do bëjë koalicion parazgjedhor me VV. Sot ai e përjashtoi një gjë të tillë. Hallin e kishte tek rizgjedhja e tij dhe jo tek ndryshimi politik që duhet të ndodh në Kosovë. Kjo racë politikanësh e tipit Mustafa e kompleksojnë edhe Makiavelin”, ka shkruar Qorrolli.

E analisti tjetër Mushkolaj, vazhdimisht ka postuar deklarata të ndryshme të shkurtra duke ironizuar me LDK-në.

“Përnime kini pritë befasi në LDK a?.- E rëndësishme është që LDK po vazhdon me e kultivu frymën rugoviane. -Megjithatë, LDK është parti e rujtne. Veç do pleq po e vozitin. – LDK e zgjedh kryetarin njësoj si PDK – me aklamacion. Ndërkohë vazhdon me na shitë fore t’lodhta, kishe këta janë ndryshe”, janë disa nga postimet e Mushkolajt në Facebook.

E sociologu Fadil Maloku, përmes një postimi ka thënë se “Për mendimin tim sociologjik, sot nuk fitoi Isa Mustafa, por, humbi LDK-ja”, shkruan ai.

Ndërkaq ish-diplomati Lulzim Peci, ka uruar që zgjedhja e Mustafës të jetë e fundit në Kosovë që bëhet me aklamacion.

“Për (ri)zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, më së paku ju takon të komentojnë aktivistët e partive të tjera, pasi para se ta bëjnë këtë, është rendi të shikohen në pasqyrë. Në anën tjetër, uroj që kjo të jetë zgjedhja e fundit e një lideri partiak në Kosovë me aklamacion dhe pa garë në mes të nominuarve për këtë post. Detyrë e kryesive të partive politike nuk është “pajtimi për kandidat koncensual” por mbarëvajtja e procesit zgjedhor, duke përfshirë edhe sigurimin e garës së barabartë në mes të nominuarve për liderë partiak. Prandaj, nuk mund kemi nevojë të çuditemi përse nuk kemi demokraci funksionale parlamentare, derisa nuk kemi demokraci të mirëfilltë brenda partiake. Megjithatë, me zgjedhjen e Isa Mustafës për kryetar të LDK-së mund të jetë siguruar në një afat të shkurtër “uniteti” i partisë, por për të ardhmen e saj shumë më determinuese do të jetë kandidatura për kryeministër të vendit, dhe këtë do ta shohim në ditët e javët në vijim”, ka shkruar Peci.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button