Kosovë, janë asgjësuar rreth 300 mijë kilogramë produkte ushqimore

Operatorët ekonomikë në Kosovë jo çdo herë përkujdesen që t’i ruajnë produktet ushqimore në temperatura adekuate, duke bërë që disa prej tyre të jenë të rrezikshme për konsumim, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorëve, njofton REL.

Sipas tyre, stina e verës është një nga sezonet kur konsumatorët mund të hasin më shumë në produkte, të cilat nuk i plotësojnë kushtet për konsum.

Këto organizata, por edhe qytetarët, paraqesin shqetësimet e tyre për cilësinë e dyshimtë të produkteve. Ata thonë se kanë hasur në produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar në tregun e Kosovës.

Egzona Murati një qytetare tregon se kishte hasur në produkte të dyshimta në një nga dyqanet ku ajo furnizohet me ushqim.

“Jo një herë, por disa herë ka pasur raste kur unë kam blerë produkt me afat të skaduar apo produkt i cili ka pasur afat, por kur është hapur nuk ke mundur ta konsumosh. Në veçanti gjatë stinës së verës ka produkte, të cilat nuk ruhen në temperatura adekuate. Kam bërë ankesa, por jo çdo herë është hequr malli nga tregu”, thotë ajo.

Udhëheqësi i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ende në Kosovë nuk ka një nivel të sigurt të produkteve të cilat qytetarët i konsumojnë.

“Akoma konsumatori në Kosovë nuk është i vetëdijesuar për atë se çfarë konsumojnë. Mekanizmat shtetëror nuk po e përmbushin obligimin e tyre që qytetarin, konsumatorin ta informojnë dhe ta vetëdijesojnë për produktet. Gjatë sezonit të verës kur temperaturat rriten, gjithandej ka produkte të cila ruhen në temperatura jo adekuate dhe produkte të cilat nuk duhet konsumohen”.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës po e bënë punën e vet, por edhe ata ankohen se nuk kanë mjaftueshëm inspektorë që të bëjnë kontrollet e duhura. Në Kosovë ka institucione të papërgjegjshme lidhur më mbrojtjen e konsumatorit”, thotë Kaçaniku.

Përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët janë përgjegjës kryesor për kontrollin e ushqimit në Kosovë, sigurojnë qytetarët për produkte cilësore.

Kjo Agjenci brenda gjashtë muajve ka asgjësuar rreth 300 mijë kilogramë të produkteve ushqimore, kryesisht, mish dhe produkte të mishit, pastaj qumësht dhe produkte të qumështit, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button