Haradinaj: Do të shpërbëhet Kuvendi, nëse Thaçi vonohet

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka folur pas takimit që ka pasur me ish-partnerët e tij në koalicion.

Ai ka thënë se pas dorëheqjes së tij dhe të Qeverisë që drejtonte, tani është me rëndësi që veprimet që pasojnë vendin ta çojnë në zgjedhje, në mënyrë që siç ka thënë, sovrani të vendosë.

“Është një bindje e gjithë neve që zgjedhjet të ndodhin në kohë dhe të mos ketë vonesa, të shohim më tutje”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve.

Kur ka folur për PDK-në, ai ka thënë se është kohë fushatash, transmeton Koha.net.

“Është me rëndësi që e kemi dëgjuar deklaratën e Veselit se është për zgjedhje dhe ka bazë të mirë që ka vullnet për zgjedhje. U dakorduam që të mos humbet kohë. Të ketë koordinime”, ka thënë Veseli.

Haradinaj ka kërcënuar se nëse presidenti vonohet, Kuvendi do të procedojë me mocion mosbesimi. Megjithatë nuk ka dhënë datë.

“Nëse ka vonesa presidenti atëherë e iniciojmë mocionin e mosbesimit në Kuvend”, ka thënë Haradinaj.

E kur është pyetur nëse rrjedhimisht e premtja është dita e fundit për presidentin, ai ka thënë se nuk mund të flasë me data.

“Çështja kur duhet me ndodhë mocioni është më mirë mos me dhënë data askush, po me koordinu një datë ku të gjitha partitë bashkohen. Nuk është interesi i tillë, interesi është që të gjithë të kryejmë punë”, ka thënë Haradinaj.

Mungesën e Veselit në takim Haradinaj është munduar ta arsyetojë duke thënë se është kohë fushate.

Por mbrëmë, në një paraqitje televizive në transmetuesin publik, Veseli ka bërë me dije se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Haradinajt, duke thënë se “tani nuk ka të bëjë me asnjë individ dhe se kryeministri në largim, është kryeministri në largim”.

Ndërsa, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është deklaruar para mediave pas takimit me krerët e koalicionit qeverisës, duke thënë se po presin ftesë nga presidenti Hashim Thaçi, dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Janë takime normale, sapo e pimë nga një kafe me kolegë, diskutuam si të ecim përpara, është e qartë që vendi është në prag të zgjedhjeve, janë konsultime të vazhdueshme, thjesht janë takime me shkëmbimeve të mendimeve. Vendi është mirë që sa më shpejt me caktu datën e zgjedhjeve, edhe presidenti me kry punën e vet. Unë e piva një kafe me Ramushin pastaj erdh edhe Behgjeti. Është sa më shpejt që partitë politike me u mbledh edhe me caktu datën e zgjedhjeve. Nuk është takim, është takim për kafe, po shpresoj që java e ardhshme do të jetë zgjidhje për këtë çështje”, tha Limaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button