Financat nuk iu shmangen kritikave të Brukselit

Pjesa financiare e Raportit të fundit të Komisionit Evropian u shqyrtua sot në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet. Vërejtjet, rekomandimet dhe lëvdatat nga Raporti i mbrojti dhe arsyetoi zëvendës ministri i financave Nedim Ramizi. Ai tha se Qeveria me konsensus ka harmonizuar politikën me Marrëveshjen për Stabilizim Asocim, gjë që e dëshmon edhe propozimi të kalohet në fazën e dytë të kësaj marrëveshjeje. 

“Në përputhje me Raportin Qeveria e Republikës së Maqedonisë mbajti konsenzus të gjërë lidhur me çështjet politiko ekonomike. Politika monetare e aktivizuar de facto në kursin devizor dhe në euron kontribuoi për përforcimin shtesë të stabilitetit makroekonomik. Politika ekonomike është në përputhje me strategjinë evropiane “Evropa 2020” për rritje të punësimit. Prioritet për Qeverinë do të jenë reformat për përmbushjen e kritereve ekonomike, Qeveria mbetet e fokusuar në qëllimin final, që është anëtarësim në Bashkimin Evropian” – tha Nedim Ramizi.

Nga ana tjetër, deputeti opozitar Marijanço Nikollov theksoi se përveç gjërave të mira ka edhe vërejtje dhe rekomandime të cilat duhet seriozisht të shqyrtohen. Ai thekson se me rekomandimin e katërt për fillim të negociatave me BE-në Qeveria duhet të bëjë gjithçka që të mos humb këtë shans.

“Dua ta përshëndes rekomandimin e Komisionit Evropian, të katërtin me radhë që Maqedonia të merr datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Shpresoj që në dhjetor do të efektizohet ky rekomandim dhe Republika e Maqedonisë të merr datë për varësisht nga aftësia e Qeverisë të shfrytëzon rekomandimin dhe këtë hap të ri që u bë, që u dha pëlqim të zgjidhet çështja e emrit. Do të shohim nëse Qeveria jonë do të jetë mjaftueshëm e mençur, dhe se nuk do të lëshon shansin të marrim datë për negociata sepse mendoj se një shans i tillë në të ardhmen ndoshta edhe nuk do ti ofrohet Republikës së Maqedonisë. Sa i përket Raportit, gjegjësisht pjesës që ka të bëjë me financat, zoti zëvendës ministër ju i thatë gjërat e mira por për fat të keq në Raport ka edhe rekomandime të Komisionit Evropian të cilat nuk janë edhe aq të mira dhe të cilat faktikisht paraqesin vërtetim të asaj që ne si opozitë e themi praktikisht që nga fillimi i projektit “Shkupi 2014” megjithatë i dedikohet edhe atij projekti por i dedikohet edhe planifikimit në tërësi të kësaj qeverie” – tha Nikollov.

Raporti i Komisionit Evropian më herët u shqyrtua edhe në Komisionin për çështje evropiane dhe atë për punë të jashtme, ndërsa më 29 tetor do të jetë në rend dite edhe në seancë plenare në Kuvend./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button