Ligji që tinëzisht shkatërron lirinë e shprehjes!

Përderisa mediumet e mëdha të Maqedonisë heshtin për propozim-ligjin për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje, komuniteti i internetit në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më i zëshëm në shprehjen e revoltës së tyre. Ata përmendin një sërë arsyesh për pritjen në thikë të pjesëve të propozim-ligjit për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje që kanë të bëjnë me komunikimin nëpërmjet internetit.

“Propozim-ligji në Maqedoni, leximi i dytë i të cilit do të jetë më 9 tetor (e martë) të këtij vit, rrezikon që në mënyrë të konsiderueshme ta ndryshojë mënyrën në të cilën do të blogojmë dhe në të cilën do të funksionojnë të gjitha ueb-faqet dhe provajderët e internetit në Maqedoni. Kjo do të thotë se bloget dhe ueb-faqet tona mund të çkyçen pa urdhër nga gjyqi, kur dikush do të ankohet, e kjo nënkupton shkatërrim të konsiderueshëm të një numri të madhe ueb-faqesh dhe blogesh, të cilat në këtë moment i shpërndajnë informatat në mënyrë të lirshme. Kjo do të thotë se na ndalohet e drejta themelore njerëzore – liria e të folurit. A mos ndoshta doni të bëhemi si vendet gjysmëdemokratike lindore, ku disa fjalë të caktuara janë të ndaluara me ligj?

Kjo do të thotë se si pronar i ueb-faqes dhe blogues i lirë do të duhet të kem kujdes për çdo fjalë që mund të interpretohet si ofenfim, e bile edhe atëherë kur ajo fjalë të paraqitet në komente, e për këtë arsye do të duhet t’a çkyç paraqitjen e menjëhershme të komenteve, dhe ato t’i moderoj 24 orë në ditë. Por edhe përkundër kësaj, ekziston rreziku që ueb-faqja dhe blogu im të çkyçen pa paralajmërim, vetëm nëse dikush ankohet.” – shkruan Daniell Kralevski në blogun e tij.

Edhe pse në propozim-ligjin për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje nuk përmenden termet “blogues” dhe “blog”, bloguesit nga Maqedonia këtë nuk e konsiderojnë si diçka pozitive, por mu në mospërmendjen e tyre dhe në termet që nuk janë definuar qartë dhe që nuk janë ndarë mirë, sipas tyre, fshihet rreziku për interpretimin selektiv të dispozitave të ligjit.

“Jam kundër këtij propozim-ligji, në mes tjerash edhe për shkak se nuk është definuar në mënyrë të qartë se çka saktë nënkuptohet me termin provajder i shërbimeve të internetit. Nëse dikush në blogun tim shkruan diçka për dikë, e për shkak se i kam dhënë mundësi të komentojë, pa pasur mundësi që t’i kontrolloj thëniet e tij, në qoftë se konstatohet se ai ka shpifur, edhe unë rrezikoj që të dënohem për këtë. Opcionin e dytë që e kam është që ta fshij komentin e tij në afat prej 24 orësh dhe në këtë mënyrë t’i censuroj lexuesit e mi dhe t’ua ndaloj të drejtën e shprehjes së mendimit. Për atë që do ta shkruaj në artikujt e mi të mos flas fare. Aty, çdo fjalë do të duhet të zgjidhet me kujdes. Pasi nëse vjen puna deri në gjyq, dihet pastaj se si do të vejë puna.”  – thotë bloguesi ?mrah Rexhepi.

Pjesën e propozim-ligjit për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje që ka të bëjë me komunikimin në internet, bloguesit nga Maqedonia, në mes tjerash, e vlerësojnë edhe si jokushtetuese dhe thonë se me të u mohohet e mundësia dhe e drejta e garantuar me ligj për shprehje publike të mendimit personal. Edhe qendra për zhvillimin e mediumeve, në analizën e këtij propozim-ligji që u prezantua më 05.10.2012, në mes tjerash, për propozim-ligjin, më sakët për nenin 23 thekson se “përputhet me definicionin e censurës, ndërsa censura është e ndaluar me paragrafin 5 të nenit 16 të Kushtetutës.”

“Konsideroj se propozim-ligj nuk kontribuon për zhvillimin e lirisë së të folurit dhe të menduarit. Sipas meje, posaçërisht kontestuese janë pjesët ku bëhet kufizimi i mënyrës së komunikimit nëpërmjet të të ashtuquajturave mediume të reja – blogimit si mënyrë e shprehjes së mendimeve dhe qëndrimeve, kryesisht të komunitetit të ri intelektual të Maqedonisë. Poashtu nuk konsideroj se ky ligj do të kontribuojë për zhvillimin e kulturës së të folurit dhe të komunikimit që është tipik për komunitetin e internetit.” – thotë Kiril Efremovski, gazetar dhe blogues.

Fondacioni Metamorfozis e potencon edhe atë se, me këtë propozim-ligj, shkilet parimi i supozimit të pafajësisë. Në fakt, në nenin 11 të propozim-ligjit për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje parashihet që provajderi i shërbimeve të internetit nuk do të mbajë përgjegjësi për ndonjë ofendim ose shpifje të shprehur si rezultat i asaj se ka mundësuar qasje deri te informata ofenduese ose shpifëse, në qoftë se vetë dëshmon se nuk ka qenë i vetëdijshëm për materialin ofendues ose shpifës që është publikuar në portal ose nëse dëshmon se autori i informatës së publikuar në ueb-portal nuk ka vepruar nën kontrollin ose ndikimin direkt ose indirekt të provajderit të shërbimit të internetit.

“Duke pasur parasysh se çdo provajder i shërbimeve të internetit, gjegjësisht administrator i ueb-faqes, ka mundësi teknike për kontroll mbi të gjitha përmbajtjet (në fund të fundit formë e kontrollit është fshirja, gjegjësisht largimi i ueb-faqes nga interneti) në kundërshtim me parimin për supozim të pafajësisë, me këtë nen, pronarët vihen para një situate ku duhet patjetër ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, në vend që ai i cili i padit të ofrojë dëshmi për fajin e tyre, gjegjësisht qëllimin e keq.” – rekomandojnë nga ??tamorfozis, fondacioni për internet dhe shoqëri.

Bloguesit poashtu theksojnë se me propozim-ligjin për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje në vend që të krijohet klimë e përshtatshme për informim të saktë dhe në kohë, fshihet rreziku për krijimin e errësirës mediale.

“Ligji nuk sillet për shkak se pushteti (politik, financiar, gazetar etj.) nuk mund t’i dënojë ata që e kritikojnë, por për shkak se ashtu do të ishte më e komplikuar dhe më e ngadalshme. E pse edhe ta mendojë aq shumë, kur mund t’i detyrojë pronarët (autorët) e  blogeve dhe provajderët? Në shoqëri të tillë jetojmë: çdo i akuzuar është fajtor derisa nuk e dëshmon të kundërtën. Ky është edhe dallimi prej sistemit të “kaluar” ku fqinji të ka spiunuar dhe pushteti të ka dënuar, ndërsa në atë të “sotmin” pushteti është i vetmi që (do) të guxojë të të spiunojë e pastaj fqinjët (provajderët dhe pronarët e blogeve) të të dënojnë.“ – thotë Goran Peoski.

Është fakt se duhet të ekzistojë rregullativë për problematikën e ofendimeve dhe të shpifjeve në internet, por si duket kjo që është në rrugë për t’u miratuar, së paku prej atyre që janë shfrytëzues më aktivë të internetit është vlerësuar si larg prej ideales.

“I tërë procesi i dekriminilazimit të shpifjes dhe ofendimit, e me këtë edhe përpjekjet që të rregullohet përgjegjësia qytetare në këtë fushë është problematike. Është e qartë se pushteti dëshiron të vendosë, gjegjësisht të shkaktojë, vetëcensurë edhe më të madhe te njerëzit të cilët dëshirojnë publikisht ta shprehin mendimin e tyre, gjegjësisht ata që e kanë profesion informimin e publikut. Me këtë rast, pushteti ka kujdes që kjo të paraqitet si demokratizim në këtë fushë dhe kjo deri tani bëhet me sukses, ndërsa ata që janë të prekur me këtë problem, si duket nuk kanë kapacitete të mjaftueshme t’i kundërvihen kësaj.

Sa i përket qëndrimit të Civil-it, ky proces duhet të ndërpritet plotësisht dhe të fillohet proces krejtësisht i ri ku do të kyçen më tepër aktorë, veçanërisht ata që do ta kenë urtësinë dhe guximin e nevojshëm që ta çojnë punën deri në fund në dobi të lirisë së të shprehurit dhe të respektimit të plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut.” – deklaroi Xhabir Deralla, blogues dhe kryetar i Civil-it.

Dhe derisa artikujt e shfrytëzuesve të revoltuar të internetit nga Maqedonia po shumëzohen, nga Skopjehacklab i inkurajojnë qytetarët që t’i dërgojnë vërejtjet e tyre në lidhje me propozim-ligjin për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje deri te kuvendi dhe të apelojnë gjatë leximit të dytë të propozim-ligjit, që hapësira e internetit në Maqedoni, në shenjë proteste të errësohet në tërësi.

“Kyçeni ueb-faqen tuaj në aksionin për errësimin e internetit në Maqedoni, duke shtuar një skriptë të thjeshtë. Leximi i dytë i ligjit është të martën më 09.10.2012, kështu që kodin në ueb-faqen tuaj vendoseni në orën 00.00 të kësaj dite dhe lejeni së paku 24 orë.” – shkruan në ueb-faqen Skopjehacklab./Burimi: think.mk/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button