Ministria e Kulturës s’ka para vetëm për artistët shqiptarë!

Të mërkurën zyrtarisht mbyllet Konkursi për ndarje të mjeteve shtesë të artistëve të pavarur për vitin 2013, të cilin e ka shpallur Ministria për Kulturë e Maqedonisë.

Këto mjete me siguri janë të dedikuara për artistët maqedonas, sepse  siç mësojmë nga sekretari i përgjithshëm në ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi, shqiptarët asnjëherë nuk kanë fituar këto beneficione, se ne nuk kemi artistë të këtillë.

“Me të tregu drejtë për shqiptarët është pak problem, nuk ka pasur asnjë shqiptar deri tani as vjet e as ndonjëherë që ka fituar këtë beneficion, sepse shumica nuk i plotësojnë kushtet. Sa njoh unë artistë ata të gjithë janë të punësuar në ndonjë institucion dhe janë të rrallë shqiptarë të regjistruar si artistë të pavarur. Për ti plotësuar kushtet, personi duhet të jetë patjetër i regjistruar si artist i pavarur, piktor, muzikant, fotograf dhe të ngjashme” i tha Portalbit, Bislimi.

Bislimi për momentin nuk posedon me të dhëna se sa është numri i personave që kanë aplikuar për të fituar këtë të drejtë, pasi presin që të përmbyllet konkursi nesër për të dalë me të dhëna të sakta.

“Pa u mbyllur konkursi ne nuk mund ta dimë se sa ka, presim edhe dy ditë ndoshta do të konkurrojnë ende në konkurs. Mirëpo janë disa kritere, personi që mund të fitojë ato beneficione duhet të jetë pa tjetër i regjistruar si artist i pavarur, duhet tatimet të gjitha t’ia paguajë shtetit, dhe duhet të ketë realizuar për shembull pesë ekspozita dhe disa kritere të tjera profesionale. Ata që i plotësojnë kushtet besoj se kalojnë. Nuk ka numër të caktuar se sa do të fitojnë beneficione, kjo varet prej atyre që i plotësojnë kushtet, nuk ka numër të kufizuar” njofton Bislimi.

Ndryshe, artisti i cili dëshiron të regjistrohet si i pavarur, këtë duhet ta bëjë në Qendër e regjistrit në Drejtorinë e të Hyrave Publike (DAP), dhe pagesa është minimale, njoftoi më tej Bislimi./Portalb
 

Lajme të ngjashme

Back to top button