“Gjermania para ofensivës salafiste “

Presidenti i Shërbimit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Hans-Georg Masen, paralajmëron për rrezikun që sipas tij i kanoset Gjermanisë nga ofensiva e propagandës salafiste.

“Salafistët nga Lindja e Mesme”, tha ai, “synojnë të ndikojnë tek islamikët e Gjermanisë”.

Pasi u ndalua organizata salafiste ”Millatu Ibrahim” (MI), një nga njerëzit kryesor në Gjermani, sipas Masenit, në Lindjen e Mesme merret me formimin e një qendre mediatike, ku do të flitet në gjermanisht.

“Qëllimi është që të ndikojnë tek islamikët në Gjermani”, ka thënë sot Maseni për ditoren gjermane “Rheinische Post”. Një javë më herët ai ka deklaruar për FAZ se austriani Mohamed Mohamud, i cili ishte anëtarë i MI-së, në prill të këtij viti ka shkuar në Egjipt ku ka ndërtuar një “urë” për kontakte.

Shërbimet e sigurisë në muajt e fundit kanë vërejtur “shpërnguljen” e salafistëve nga Gjermania në Egjipt, e në mesin e tyre – siç tha për revistën “Der Spiegel” një zyrtar nga forcat e sigurisë – është edhe ish-reperi i konvertuar nga Berlini, Dennis Kasper, ndërsa 30 të tjerë “po presin me valixhet e tyre”.

Salafistët pretendojnë se besimet e tyre paraqesin islamin e pastër dhe burimor, të cilin e kanë praktikuar tri gjeneratat e para të myslimanëve. Në veçanti, ata theksojnë se në mënyrën më konsistente ndjekin islamin monoteist (tovhid).

Salafist është emri që më së shpeshti sot përdoret edhe për vehabistët, si në Arabinë Saudite, ashtu edhe në vende të tjera. “Grupet islamike fundamentaliste angazhojnë edhe terroristët vetëvrasës”, thonë ekspertët gjermanë.

Kur është fjala te gjermanët dhe islami, statistikat tregojnë se në këtë shtet jetojnë 3.3 myslimanë dhe se 18 mijë nga ta janë me origjinë gjermane.

Mediat gjermane shkruajnë se numri i të konvertuarve në islam në vitin 2005 ishte njëmijë, ndërsa më 2006 ishte katërmijë. Këto të dhëna janë siguruar nga arkiva e Institutit Qendror Islamik në veri të Rhine Westphalias, ku mohohet se ka lidhje në mes të shtimit të gatishmërisë në dhunë dhe kalimit të gjermanëve në islam.

Kur është fjala për salafistët, mediat gjermane thonë se shqiptari nga Kosova, Arid Uka – i cili vitin e kaluar në aeroportin e Frankfurit ka vrarë dy ushtarë amerikanë, ndërsa ka plagosur dy të tjerë – pas hetimeve ka rezultuar se ka qenë i ndikuar nga radikalët salafistë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button