Tetovë, semaforët largohen nga qendra, por jo edhe nga qyteti

Komuna eTetovës është duke i larguar semaforët dhe në vend të tyre janë të vendosura unaza ndërsa sipas autoritetve komunale unaza e cila do të vendoset në qendër të Tetovës do bëjë edhe ndryshimin e tërësishëm të qytetit.

Por përkundër faktit se në Tetovë janë duke u larguar Semaforët nga pjesët qendrore të qytetit, ata nuk do të largohen tërësisht nga përdorimi, por do të vendosen në vende ku paraqitet nevoja për këtë sinjalizim vertikal. Gjatë ndërtimit të unazave, është mënjanuar edhe sinjalizimi vertikal (semaforët), të cilat sipas studimit të kryer nga Sektori për Komunikacion, rrugë dhe tokë ndërtimore do të instalohen në udhëkryqet e qytetit sipas nevojave që do të paraqiten. Aktualisht është duke u punuar në rrugën “Bllagoja Toska”, ku do të vendosen semaforë në të dy udhëkryqet. Udhëkryqi i parë ndodhet në afërsi të kompleksit “Tetovarja”, ndërsa tjetri në afërsi të kazermës ushtarake.

“Gjithë kjo punë bëhet për përmirësimin e komunikacionit në qytet, ndërkohë që semaforët tjerë do të vendosen në vende tjera varësisht nga nevojat, pasi që të jenë bërë studimet paraprake nga Sektori për komunikacion, rrugë dhe tokë ndërtimore”, thonë nga komuna e Tetovës. 

Punët për ndërtimin e unazës në qendër të qytetit janë duke vazhduar, ndërsa sipas komunës së Tetovës ky rreth do të jetë më i veçantë, pasi që parashihet që brenda tij të ketë edhe elemente tjera urbanistike.

“Konkretisht do të ndërtohet fontanë me sipërfaqe prej 500 metër katror, ndërsa sipërfaqja e tërësishme e këtij rrethi do të jetë në formë elipse me gjatësi 60 metra dhe gjerësi 25 metra. Gjithashtu, në këtë projekt parashihet që të shtohen edhe hapësirat e gjelbra dhe do të vendosen ulëse, në mënyrë që projekti të jetë atraktivë dhe komod për qytetarët”, thonë nga komuna./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button