Përfundon Kongresi IV mbarëkombëtar i gruas shqiptare

Femrat shqiptare nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria dhe diaspora (Anglia Gjermani Sllovenia dhe Kroacia) morën pjesë në punimet e Kongresit të Rrjetit Global të Gruas Shqiptare (RrGGSh) i cili me iniciativë të themelueses dhe presidente Lida Rragami nga Presheva, mbahet në të gjitha trojet shqiptare.

Nikoqir i Kongresit të katërt të këtij rrjeti, mbajtja e të cilit përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, ishte qyteti i mikpritjes – Gostivari, respektivisht Forumi I Gruas të RDK-së dega në Gostivar. 

Kongresi filloi të shtunën, me interpretimin e himnit kombëtar nga sopranoja Besarta Murtezani, ndërsa kryetari i komunës së Gostivarit dhe i RDK-së, nën patronazhin e të cilit u mbajt i njëjti, në fjalën përshëndetëse të tij, pjesëmarrëseve u dëshiroi mirëseardhje dhe punë të suksesshme.

“Sot, gjinia alternative, jo vetëm që është e barabartë me meshkujt, por për nga suksesi që tregojnë femrat shqiptare në jetën shoqërore, shkencë, kulturë, sport, biznes, politikë dhe sferat të tjera, me përkushtimin dhe idetë që ato i shpalosin, dëshmojnë madje se janë edhe më të afta se meshkujt”, nënvizoi mes tjerash Rufi Osmani.

Në kuadër të Kongresit mbarëshqiptar të gruas në Gostivar, u realizuan gjashtë panele që kishin të bëjnë me fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë shqiptare, ku si paneliste ndër të tjera, me diskutimet e tyre u prezantuan Lida Rragami – presidente e Kongresit, Bukurije Gashi-Iseni – kryetare e FG të RDK në Gostivar dhe Nafije Selmani – anëtare e Këshillit drejtues të RDK-së.

Në kuadër të Kongresit u organizua një Takim biznesi, ku afaristet e dëshmuara shqiptare nga treva e Pollogut ekspozuan biznesin, ndërsa krijueset veprat e tyre.  Trajnimin me temë “Si udhëhiqet një biznes” e realizoi Sju Tongs, një mike e shqiptarëve nga Britania e Madhe.
Kongresi IV i gruas shqiptare përfundon sot me vizitë në Vërtok, Mavrovë dhe Tetovë prej ku gratë pjesëmarrëse në Kongres, vazhdojnë për në Prishtinë ku do të mbahet kongresi i radhës.

Lajme të ngjashme

Back to top button