Kuvend, në radhë beteja mes partive shqiptare

Pas Jani Makradulit, Ilija Dimovskit dhe Andrej Petrovit,Talat Xhaferi ishte diskutuesi i parë shqiptar në diskutimet 15 minutëshe.  

“Ata që deklarojnë se japin përkrahje për atë që ne kemi filluar, nga ana tjetër po mundohen të minojnë atë që kemi filluar. Një nga porositë më të theksuara në politikë është se poltikbërja njeh liderë dhe politikanë. Përderisa këto të dytët menodjnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, të parët, liderët, mendojnë për gjeneratat e ardhshme dhe në përputhshmëri me vizionet e tyre bëjnë politikën dhe i marrin hapat politik. Ne nga BDI të udhëhequr nga lideri ynë Ali Ahmeti bëjmë pjesë në grupacionin e parë dhe gjeneratat e sotshme i ndjejnë vendimet tona vizionare të filluara 11 vite më parë, siç janë kushtetuta, integriteti territorial, decentralizimi, mosdiskriminimi, përfaqësimi adekuat, procedurat e veçanta parlamentare, arsimi i lartë në gjuhën shqipe, shprehjen e identitetit kombëtar, zyrtarizim i Univerzitetit shtetëror të Tetovës, muzeu i Manastirit, kremtimin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, ngritjen e përmendoreve të Bagerit dhe të tjerëve, pranimi i pavarësisë së Kosovës, demarkacioni i kufirit me Kosovën dhe shumë vendime tjera” – tha mes tjerash Talat Xhaferi.

Ky fjalim i Xhaferit nxiti replika nga deputetët tjerë shqiptarë. Izet Zeqiri nga RDK pyeti Xhaferin pse BDI do të votojë pro kësaj politike siç tha monoetnike, antiperëndimore dhe vetëizoluese të Qeverisë Gruevski.

“I nderuar Talat, ju përsëri do të votoni pro kësaj qeverie, do të votoni pro kësaj politike monoetnike dhe antiperëndimore, vetëizoluese të Qeverisë Gruevski? Do të votojë pro Ministreshës për Punë të Brendshme, Gordana Jankullovska e cila gjykon shqiptarët që në konferencë për shtyp, quan ata terrorist, përderisa vrasësve të shqiptarëve u siguron alibi, siç ishte rasti me vrasjen e dyfishtë në Gostivar. Me siguri do të votojë BDI pro Ministrit për Arsim dhe Shkencë, Pançe Kralev, i cili as që mendon të tërheq tekstet shkollore me përplot ofendime dhe propagandë antishqiptare, ministër i cili mbyll paralelet shqipe dhe nuk lejon riemërtimin e shkollave ku mësojnë nxënësit shqiptar. Do të votojë pro kryeministrit Gruevski, i cili nuk kursen deklaratat kërcënuese dhe nënçmuese për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, kryeministër i cili solli projektin monoetnik Shkupi 2014 dhe dhjetëra projekte të ngjashme antishqiptare. Do të votojë BDI pro qeverisë që solli në Kuvend Propozim Ligjin për branitellat, në të cilin quan ish luftëtarët e UÇK-së ekstremistë dhe paramilitarë. Mendoj se duhet të vendosni gishtin në kokë dhe të konsultoheni me popullin që ju ka zgjedhur, a e përkrah populli këtë qeveri me të gjitha këto gjëra që arrita të përmend për këto tre minuta” – tha Zeqiri.

Pas tij, Talat Xhaferit i replikoi edhe Imer Aliu nga PDSH.

“Talat Xhaferi përmendi se BDI garanton siguri, vizion, integrime, flamur, amnisti, buxhet konsensual, manifestime për 100 vjetorin dhe manifestime tjera. Përmende se garanton siguri për qytetarët. Para disa ore disa shqiptarë të rinj u rrahën në mes të Shkupit. E njëjta ndodhi edhe para disa muajsh nëpër autobusët e Shkupit dhe askush nuk morri përgjegjësi. Ajo ishte siguria juaj. Para disa muajsh 800 pjesëtarë të njësitit special hyrën në disa shtëpi të shqiptarëve, ngrehnin gratë, vajzat, pleqtë, të rinjtë, bujtën aty, pinë nga një kafe në ato shtëpi dhe përsëri na flisni për siguri dhe integrime. Fyle shumë mirë para disa ditëve ju bëri me dije se ku janë integrimet e juaja. Krenoheni me ligjin për flamurin, të cilin e zvogëluat për 1/3 dhe kur e shihni në Çair e shihni se sa mjerisht duket flamuri kombëtar dhe e votuat ligjin. Flisni për amnisti, dje u vorros Ibrahim Sulejmani, i vetmi i dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në një proces gjyqësor i cili nuk dihet nëse është mbajtur. Të flasësh për buxhet me konsenzus dhe program të përbashkët qeveritar, në këto katër vite të gjithë e pamë se çfarë nënkupton buxheti konsensual dhe sa është pjesa e shqiptarëve në atë buxhet. E pamë edhe programin e përbashkët, cilët janë projektet shqiptare në atë program” – tha Imer Aliu nga PDSH.

Momentalisht po vazhdojnë replikat e deputetëve opozitar, mbi të gjitha ata shqiptarë, ndaj fjalimit të Talat Xhaferit./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button