Opozita: Gruevski si Millosheviçi

Debati për votëbesim të Qeverisë po zhvillohet me theks në marrëdhëniet ndëretnike, të cilat morën epitetin si kryetemë sidomos pas lajmit për rrahjen e dy grupeve etnike maqedonas dhe shqiptarë në autobusin me numër 22 sot në Shkup. Deputetët opozitar akuzuan Qeverinë për teatër dhe lojëra me marrëdhëniet ndëretnike të cilat sipas tyre kanë qëllim vetëm rritjen e rejtingut partiak.

“Pa asnjë dilemë do të konstatojmë se krimi dhe korrupsioni, respektivisht pasurimi partiak dhe personal i anëtarëve të qeverisë dhe partive të koalicionit të saj, është politika dominante e kësaj qeverie. Që e gjithë kjo të funksionojë, qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së e rrumbullakëson sistemin kriminel përmes partizimit të administratës e cila duhet të veprojë dhe të heshtë për shkak të ruajtjes së vendeve të tyre të punës. I kanë partizuar prokurorinë publike, gjykatat dhe gjykatësit, që të mos veprojnë kundër krimit dhe në fund i kanë zaptuar dhe mediat. Përmes ndikimit dhe presionit ndaj pronarëve, për mes ligjeve dhe presioneve ndaj gazetarëve, ndaj qasjes agresive ndaj opinionit publik, përmes megafonëve të gazetarëve të paguar shtrenjtë. Me një fjalë thënë ‘katër në një’ krim, gjyqësi e partizuar, media të partizuara e barabartë me qeverinë e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së” – tha Igor Ivanovski nga LSDM duke arsyetuar interpelancën.

Pas tij foli bashkpartiaku i tij Jani Makraduli, i cili krahasoi qeverisjen e Gruevskit me atë të Millosheviçit.

“Nëse kërkojmë simbolikë, sot z. Gruevski ka Millosheviqin, politikani me qeverisjen e të cilit keni më shumë ngjashmëri, 5 tetori i lumtur për Serbinë dhashtë Zoti edhe për Maqedoninë. Ishte mëngjes kur Maqedonia e fitoi statusin e kandidatit në vitin 2005, pas sjelljes së vendimit, kryeministri i Britanisë, Toni Blair atëherë ish-kryesues i vizionit për Evropë dhe Evropë të bashkuar i tha Maqedonisë, po citoj  është  pjesë e rëndësishme e atij vizioni. Sot për shkak të politikës së papërgjegjshme të Qeverisë suaj, Maqedonia është larg nga ai vizion. Maqedonia është temë në Bruksel vetëm kur kërkohet  aparat zjarrfikës që të shuajnë zjarret që ju i shkaktoni në Qeveri” – tha Makraduli.

Arben Llabënishta dënoi fjalimin e Makradulit duke e akuzuar atë se ka kthyer fjalorin e maqedonasve para vitit 2001.

“Duke dëgjuar fjalën tuaj për votëbesimin e Qeverisë dhe duke rikujtuar qëndrimet tuaja në disa debate në parlament për problemet nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me shqiptarët më duhet të konstatoj se koncepti juaj politik është kthyer në konceptin e politikës maqedonase para vitit 2001 me konceptin e politikës maqedone të një periudhe kur të drejtat e shqiptarëve ishin nëpërkëmbur. Kujtoni ngjarjet e Bit pazarit, Ladorishtit, themelimit të UT-së, Komunës së Gostivarit. Në fakt jeni kthyer para vitit 2001 me konceptin tuaj  politik, para atij viti që përbën kthesën më të madhe për ta kuptuar përfundimisht politikanët e vendit tonë dhe populli i Maqedonisë me gjithë etnitë që përbëjnë atë se Maqedonia është shtet multietnik, multi-gjuhësor, multikulturor, multi-konfesional funksional ku duhet ta gjejnë veten të gjithë etnitë, shqiptarët maqedonasit dhe etnitë tjera. Prononcimet e juaja për dy ngjarje të periudhës së fundit, asaj të Sllupçanit në qendër të së cilës është ministri Besimi dhe ngjarjet emrave të shkollave të Çairit ti paraqisni si diçka shumë tragjike” – tha Llabënishta.

Bekim Fazliu nga PDSH porositi BDI-në se ata kanë mandat që të mbrojnë shqiptarët dhe kërkoi nga ata që ta bëjnë këtë gjë.

“Debati mori karakterin se kush ka rrahur më shumë shqiptarë. Fatkeqësisht rejtingjet politike, partitë politike maqedonase i bazojnë në këto kritere, kush i rreh shqiptarët më shumë, kush i poshtëron ato më shumë, kush u jep dënime më të mëdha atyre më shumë e kështu me radhë. Ndërsa juve të BDI-së turp tju vie, ku jeni ju ti mbroni shqiptarët. Ju keni legjitimitetin ti mbroni ata.  A keni zv.ministër të brendshëm shqiptar, shqiptarët sot rrihen në autobusë, shqiptarët dje u vranë nëpër burgje, shqiptarët tërhiqeshin zvarrë gjatë aksionit policor ‘Monstra’ ndër ta gra, fëmijë dhe pleq, shqiptarët ofendohen për çdo ditë nga huliganët maqedonas me paratë e Qeverisë, shqiptarët vriten nga policia, ku jeni ju? Të nderuar zv/kryeministra shqiptarë, të nderuar përfaqësues shqiptarë që rrini në Qeveri, nuk jemi të interesuar për kolltuqe, ua bëjmë me dije, ua bëri me dije edhe koordinatori i grupit parlamentar. Mos u frikoni se do tua marrim kolltukët, mirëpo kërkojmë nga ju që ti mbroni shqiptarët, për këtë keni përgjegjësi, ju sot thirrni në legjitimitetin e shqiptarëve, çka bëni me atë legjitimitet” – tha Fazliu.

Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-së Ilija Dimovski thirri LSDM-në që të mos luaj me tema të cilat kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike.

“Mos luani me tema të cilat kanë lidhje me marrëdhëniet ndëretnike. Mos u mundoni të shkaktoni dhe të shtyni mosmarrëveshjet, mos luani me problemin e emrit të Republikës së Maqedonisë, mos e lëshoni Tito Petkovskin në Kuvendin e Maqedonisë të kërkojë ndërrim të emrit të Maqedonisë. Të mos e lëshoni Ljubçon të kërkojë ndërrim të emrit dhe Zaev të na e then kurrizin. Qeveria në muajt e fundit gjendet në një ofensivë të politikës ekonomike. E miratuan pakon e katërt të masave antikrizë, solli vendim për rritjen e pensioneve, për kthim të TVSH-së ndërmarrjeve. Paralajmërimet për raport pozitiv nga KE janë gjithnjë e më të shpeshta e më të zëshëm” – tha Dimovski.

Debati për votëbesim të Qeverisë po vazhdon dhe duhet të përfundojë deri në mesnatë me votim / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button