Xhezair Shaqiri alarmon, Tanusha është ende e minuar

Malet të cilat janë përfshirë në konfliktin e vitit 2001 mund të jenë ende të minuara me mina kundër këmbësorëve.

Një gjë të tillë e pohon  edhe Xhezair Shaqiri  ish komandant Hoxha i cili ka vepruar në vitin 2001 në zonën e Karadakaut.

Sipas tij ushtria maqedonase në atë kohë ka vendosur mina rreth çdo punkti dhe çdo pikë kontrolli. Ai për Radio Shkupin  tha se mina kanë vendosur edhe rreth shkollës në fshatin Tanushë pasi pas tërheqjes së ushtarëve të UÇK-së, ARM-ja u stacionua në ambientet e shkollës.

 “Pasi jemi tërhequr ne si UÇK nga Tanusha, ka pasur të vendosur diku katër  punkte   dhe dy pikë kontrolle në Fshatin Tanushë duke pas parasysh edhe objektin e shkollës fillore në fshat e cila ka qenë e shfrytëzuar nga ARM-ja, ato kanë minuar dhe vetë e dinë se ku i kanë vendosur minat. Edhe sot po të shkoni afër pikës së kontrollit fshatarët e dinë, në Mëhallën e Hodollarëve ka mina ku ushtria maqedonase i ka vendosur për të mos lënë UÇK-në të afrohet afër pikës kontrolluese. Më shumë se dhjetë vite ato mina ekzistojnë dhe askush nuk i ka hequr, përveç se disa në vitin 2003 apo 2004, ku ekipe kanë ardhur dhe vetëm kanë marrë mëditje kinse e kontrollojnë vendin, në realitet nuk e kanë kontrolluar”, tha Xhezair Shaqiri, komandat Hoxha në UÇK.

Nga ana tjetër një ish komandant tjetër në rajonin e Likovës i cili aktualisht është edhe kryetarë i kësaj komune, Sadulla Duraku, tha se në këtë rajon janë të pastruara të gjitha minat të cilat në at kohë kanë qenë të vendosura nga UÇK-ja, por edhe minat e vendosura nga ARM-ja, janë të hequra.

“Në Komunën e Likovës ne nuk kemi njohuri që ka mina të vendosura dhe nuk ndjejmë ndonjë rrezik prej këtyre minave. Ne nga lufta e vitit 2001, nga pjesa e UÇK-së atje ku janë vendosur,  i kemi pastruar qysh me kohë dhe i kemi dorëzuar gjatë mbledhjes së armatimit, kurse nga pjesa e ushtrisë dhe policisë së Maqedonisë ne nuk kemi njohuri se a kanë pasur të vendosura apo jo në ndonjë vend” tha Duraku.

Se janë të pastruara të gjitha fushat e minuara në zonat e konfliktit të 2001 dyshojnë edhe nga Drejtoria për siguri dhe shpëtim.

Lupço Zejkovski nga kjo drejtori tha se janë pastruar fushat e minuara me prioritet, ndërsa në zonat më të lartë nuk mundë të garantojë.

“Ne kemi deklarua kinse mina kundër këmbësorëve në Republikën e Maqedonisë nuk ka dhe janë pastruar, ata janë pastruar në vitin 2001- 2002 atje ku ka pasur konflikte, nga ekipe nga Bosnja, Kroacia dhe Maqedonia. Tash a ka apo jo fusha të minuara në disa pjesë të larta malësore të cilat nuk janë prioritet, atë nuk mund tua them, ne atje ku kemi marrë detyrë të pastrojmë  kemi pastruar” tha Zejkovski.

Përkujtojmë se si pasojë e një mine kundër këmbësorëve u plagos një bujk me bagëtinë e tij në fshatin Tanushë, ndërsa në territorin e Kosovës pikërisht nga Minat  pas luftës, kanë humbur jetën 114 persona./Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button