Kuvendi sot debaton për votëbesim të Qeverisë

Parlamenti i Maqedonisë sot do të mbajë seancën për votëbesimin e Qeverisë së koalicionit midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. 

Propozimi për votëbesimin vjen nga partia opozitare LSDM dhe partitë e tjera opozitare maqedonase. Para fillimit të seancës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko velanovski sot do të mbajë koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare për të siguruar një procedurë të rregullt dhe debate konstruktive lidhur me interpelancën. 

LSDM ka theksuar se arsyeja se përse  ka thirrur interpelancën është konfrontimi dymuajsh i inskenuar midis partnerëve qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, një çështje që ka rrezikuar marrëdhëniet ndëretnike dhe integrimin e vendit. 

Mediat proqeveritare maqedonase theksojnë se dy partitë e koalicionit do të veprojnë të koordinuara lidhur me interpelancën dhe se ato këtë seancë e konsiderojnë si të zakonshme, mirëpo duke u përgatitur për kundër argumente ndaj opozitës. Por gazeta “Dnevnik” mëson se nuk mund të përjashtohet edhe pozicioni i Gruevskit, i cili vetë do të kërkojë votëbesimin e kabinetit të tij qeveritar. 

Deputetët e PDSH-së do të marrin pjesë në debatin e nesërm parlamentar për interpelancën e Qeverisë, por gjatë votimit do të jenë neutral, deklaroi kryetari i partisë, Menduh Thaçi.

RDK përmes foltores dhe nga deputeti Izet Zeqiri do të shpalosë qëndrimin e saj kundër qeverisjes aktuale, duke  shprehur akuza dhe kritika të ashpra për siç thuhet nga kjo parti, dështimin e këtij koalicioni dhe regresin në planin e përgjithshëm të çështjeve të shqiptarëve dhe vendit. 

Rregullorja e Parlamentit nënvizon se propozimin për votëbesimin e Qeverisë mund ta dorëzojnë së paku 20 deputetë në formë të shkruar dhe me arsyetimin e dhënë, ndërsa seanca lidhur me këtë çështje duhet të mbahet në ditën e tretë pas dorëzimit të propozimit. 

Në rast se votohet rënia e Qeverisë, atëherë kryeministri jep dorëheqjen deri tek Parlamenti në afat prej 24 orëve nga votimi.Për mosbesimin e votuar të Qeverisë dhe për dorëheqjen e dhënë, kryetari i Kuvendit menjëherë e lajmëron presidentin e shtetit. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button