Talibani shqiptar!

Veshur me fustan të zi që zbulon krahun e majtë, 5 ditë u enda fshat më fshat të Kosovës për të takuar një taliban.Mendova që ndonjërin prej tyre mund ta gjej në ndonjë fshat malor, të fshehur nga drita e diellit. Ku janë ata talibanë? A mund të jetë shqiptari taliban? Çka është talibani?  Taliban do të thotë “student”. Studentët arab të bashkuar në Lëvizjen islamike fundamentaliste në Afganistan. Më 1996 krijuan qeverinë e tyre në shtetin që e quajtën Emiratet Islamike të Afganistanit, me kryeqytet Kandaharin dhe në fund të vitit 2001 dështuan. 
 
Ani, çfarë lidhje ka kjo Lëvizje me shqiptarët e Kosovës? 
 
Nëse talibanët i kanë humbur “Emiratet” e tyre në vendin e tyre, si mund ta marrin ata Kosovën në dorë? Me çka mund ta marrin Kosovën talibanët? Me pare? Me luftë? Me premtimin e parajsës? Nga viti 2001 qindra mijëra trupa të UN-it e ruajnë Afganistanin nga talibanët. Nga viti 1999 policia e botës e ruajnë Kosovën nga shqiptarët! Më thanë: zbrit nga mali. Zbrita. Kërkoji në fushë. I kërkova fushë më fushë. Nuk e pashë asnjë taliban. Asnjë burrë nuk më ngacmoi. Asnjë djalë nuk më shikoi shtrembër. Askush nuk më ndjek. 
 
Bile, disa më buzëqeshën. Më thanë, dil në rrugë. Se, në rrugë rrinë ata. Ec rrugëve të Prizrenit, të Gjilanit, të Vushtrrisë, të Mitrovicës, dhe i sheh. Ata vet të afrohen. Eca nëpër rrugë, nuk lash mashkull me mjekër dhe me pantallona të shkurtër deri te zogu i këmbëve, pa e shikuar në drita të syve. Asnjëri nuk ma ktheu shikimin, as nuk më shikonte kush me armiqësi. 
 
Kush është këtu taliban, pra?
 
Më thanë: i ka strehuar ministrit i arsimit në Universitet. Ti nuk e di çfarë ndodh në Universitet! Shko e shih. Shkova. Qëndrova nga një orë në të gjitha Fakultetet e Kosovës. Prita, shikova, vëzhgova. Nuk e takova asnjë taliban. Askush nga studentët me mjekër s’më tha: mbuloje krahrorin!  Më thanë: I gjen në Qeverinë e Kosovës. E ku janë ata talibanë të strehuar në qeverinë e shtetit laik të Kosovës? Së pari i profilizova ministrat me mjekra. Ata s’mund të jenë talibanë, se ata ministra me mjekra janë parë duke mbajt mjekër dhe duke pirë shampanjë në manifestime publike. Në Kosovë, ose nuk ka talibanë, ose shqiptarët i kanë mashtruar talibanët, u kanë premtuar se do të bëhen talibanë, dhe nuk janë bërë, nuk ua kanë mbajtur premtimin që ua kanë dhënë.
 
Talibani ka armë. Ka pushkë. Ka snajper. Kanë thika. Sot më 10 Qershor 2013, talibanët afgan ua këputën kokat dy fëmijëve 10 dhe 16 vjeç. Fëmijët (djem), të rraskapitur urie ishin duke kërkuar ushqim në një hambar. I akuzuan për spiunazh në pjesën jugore të provincës së Kandaharit dhe ua prenë kokat. Ka talibanë që këpusin kokat e kundërshtarëve në Kosovë? Nëse ka talibanë në Kosovë, a janë ata talibanë të armatosur? Nëse janë të armatosur, cili shtet u ka ndihmuar që t’i fusin armët në Kosovë tinëz KFOR-it? 
 
Kosova? 
 
Ata fusin armë në Kosovë kundër Kosovës, sa herë që ndalet (për çdo natë) rryma në pikëkalimin kufitar e Muçibabës! Nëse armë është gjuha, taliban shqiptar i thoni atij që flet kundër femrave për të arritur qëllimet e veta. Gjuha thyen eshtra. Po. Por, me gjuhë dhe me fjalë nuk okupohet Kosova.
 
Luftën kundër femrave nuk e ka fituar askush. Se, femrat i ka krijuar Zoti që ato ta krijojnë botën. Prandaj.  Frika nga gratë e frenon edhe Selinë e Shenjtë që të lejojë një femër të jetë Papë.  Frika nga gratë e shtyri profetin persian Zarathustren që kështu ta këshilloj mashkullin: Djalë i ri. Je nisur te nusja? Merre kamxhikun me vete”. Filozofia nihiliste e Friedrich Nietzsche-s është e bazuar në shkollën e profetit persian-Zarathustrën, dhe Friedrich Nietzsche u bë autor i fjalisë më shoviniste: “Te femra çdo gjë është enigmë, dhe kjo enigmë zgjidhet me shtatzëni”. 
 
PDK-ja, me shpresë se do ta dëgjonte Herman Van Rompuy, e quajti popullin shqiptar taliban që nuk e meriton integrimin evropian. Talibanët nuk janë Kosova. Ata nuk e meritojnë integrimin evropian, sepse ata s’duan të integrohen në Evropë, por ta pushtojnë Evropën. Por, populli shqiptar nuk janë talibanë. Nëse PDK-ja është kundër talibanëve që duan t’ia marrin kryeministrit të tyre pushtetin dhe ta bëjnë Kosovën Republikë islamike, pse pra kjo qeveri u jep fonde organizatave joqeveritare të Vëllazërisë Muslimane, siç përmendet Asociacioni per Kulturë Edukim dhe Arsim AKEA ? 
 
Përpara PDK-së, Slobodan Milosheviqi, gjatë gjykimit në Hagë, i prezantoi do dokumente të FBI-së për lidhjen e UÇK-së me Bin Ladenin. Zyrtarja e PDK-së ia bëri zemrën mal Drashkoviqit. 
 
Gjithmonë përpara zgjedhjeve në Kosovë dikush luan me zjarr në emër të Zotit.  Herën e kaluar, përpara zgjedhjeve 2010, shumë forume rinore reaguan kundër Ilir Dedës, të cilin e larguan përfundimisht nga politika. Shkaku se tha: “Islami radikal shfrytëzon varfërinë për të shtrirë ndikimin”. Por, Iliri nuk kërkoi azil në Francë. Përpara këtyre zgjedhjeve, ka nisur përsëri lufta e ndjenjave fetare. Një forum rinor musliman ka reaguar kundër grave deputete të cilat kanë protestuar kundër fjalimit të hoxhës nga Prizreni për femrat shqiptare. Por, forumi nuk i ka trajtuar ato gra deputete si “grup”, kur ka nisur t’u drejtoj letra publike, ka bërë seleksionime të grave deputete, duke mos i sulmuar të gjitha njësoj, për fjalët e njejta që i kanë folur, por i kanë sulmuar pamëshirshëm vetëm dy prej tyre: deputeten e Vetëvendosjes dhe njërën deputete të PDK-së? 
 
Grua deputete është edhe Blerta Deliu e PDK-së. Pse Forumi e amnistoi Blertën? SHIK-u i ka ndihmuar SHBA-ve në luftë kundër terrorizmit. Një ish-anëtar i SHIK-ut në vitin 2010, zbuloi se janë disa organizata të rreme (fantome-inekzistente) në Kosovë, me nga një anëtar, që, sipas porosisë së liderëve politikë, lëshojnë deklarata në emër të rremë, dhe krijojnë skandale, për kalkulime politike, të krijuara ekskluzivisht për të frikësuar dhe për të eliminuar rivalët politikë, me elementin fetar.
 
Nëse ka talibanë në Kosovë, atëherë pse Departamenti Amerikan i Shtetit më 30 Maj 2013 raportoi se Kosova ka bërë progres të madh në luftën kundër terrorizmit, përveç në veri ku nuk kontrollohet nga qeveria e Kosovës. A janë strehuar talibanët në veriun e Kosovës? E dinë KFOR-i dhe EULEX-i që janë përgjegjës për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt si dhe për forcimin e sundimit të rendit e ligjit këtu dhe atje.  Ku ka NATO- nuk ka vend për taliban.

Lajme të ngjashme

Back to top button