Gruaja e komandant Mimit dyshon se atë e kanë vrarë?

Lajmi për vdekjen e komandat Mimit, gjegjësisht Ibrahim Sulejmanit, ish ushtarit të UÇK-së sot bëri bujë në Maqedoni. Edhe pse ende nuk ka informacione finale nga obduksioni i trupit të tij, nga Burgu i Shtipit dhe nga Ministria e drejtësisë thonë se vdekja ka qenë natyrore dhe i ndjeri nuk ka pasur shenja të dhunës në trup. 

Mirëpo në këtë version nuk beson gruaja e të ndjerit, Nizafete Sulejmani e cila ka folur për Portalb duke hedhur dyshime se burrin e saj e kanë vrarë për shkak se ai do të kërkonte dëmshpërblim të madh që ka vuajtur i pafajshëm 12 vite në burg. Verdikti nga gjykimi i tij, përkatësisht lajmi për lirimin e tij u bë publik nga Ministria e Drejtësisë  e cila informon se i ndjeri Ibrahim Sulejmani është liruar nga akuzat për krime lufte në përputhje me Ligjin për Amnisti dhe interpretimin autentik të po këtij Ligji.

“Të dielën isha në burg ta vizitoj, ishte shëndosh e mirë si ka qenë deri më tani. Si dhe u dëgjova mbrëmë në telefon me të dhe më tha që me gjasë sot do ta lëshojnë. Më tha lutu për lirinë time. Por sot ai nuk u paraqit në orën 10 e gjysmë si e ka zakon, por në vend të tij një komandant i cili më tha se ka vdekur! Atë e kanë vrarë. Jam e sigurtë se e kanë vrarë sepse kur do të dilte nga burgu do të duhej të merrte dëmshpërblim të madh që ka qëndruar kot e kot në burg gjithë ato vite. I kanë bërë diçka” shprehej me lot në sy Nizafetja.

Agoninë e saj e ka përcjellë me fjalët e fundit të Ibrahimit të cilët kanë qenë që së shpejti do të vijë në shtëpi dhe do ta përqafojë Fitimin, gjegjësisht djalin e tij i cili ka lindur disa muaj pasi të burgoset ai.

“Ai s’ka qenë i sëmurë, ka pasur ndonjë grip por jo diçka serioze. Të dielën më habiti kur më tha kjo e imja nuk shkon gjatë dhe ma bëj hallall. Ai duhej të vinte në shtëpi i gjallë e jo si më lajmëruan se ka pasur infarkt, këtë nuk e besoj, i kanë bërë diçka” shprehej Nizafetja, bashkëshortja e të ndjerit Sulejmani e cila si duket ka qenë personi i fundit nga jashtë burgut që ka kontaktuar me të. 

Nga Ministria e Drejtësisë njoftojnë se kanë angazhuar shërbimet kompetente që të hetojnë arsyet dhe rrethanat në të cilat Ibrahim Sulejmani humbi jetën. Portalb sot disa herë ka tentuar të kontaktojë me avokatin e tij, Shpend Devaja, mirëpo ky i fundit është i pakapshëm për prononcim. 
Ndryshe, Portalb për herë të fundit ka kontaktuar me Sulejmanin me datë 29 shtator. I ndjeri atëherë tha se me datë 02.10 do të del në gjykim dhe më pas do të njoftojë për rrjedhojën e seancës, por ai më nuk u lajmërua. I ndjeri pas tij ka lënë djalin e vetëm Fitimin si dhe gruan me kushte çnjerëzore të jetesës.

Pritet që sonte kufoma e Ibrahimit të mbërrijë në shtëpinë e tij ndërsa me gjasë varrimi do të bëhet ditën e nesërme. 

39 vjeçari Ibrahim Sulejmani vuante dënimin me burg prej 15 vjetëve, ndërsa në burgun e Shtipit ka qëndruar 4 vjet e gjysmë. Ibrahim Sulejmani ishte dënuar për vepra që kishin të bënin me krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001, ndërsa me miratimin e ligjit për amnisti në Kuvend Ibrahim Sulejmani nuk u lirua.

Portalb muaj më parë alarmoi për gjendjen e mjerueshme të familjes së tij si dhe ngriti çështjen pse nuk vlen amnistia për Sulejmanin?  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button