BDI dhe PDSH përplasen, kush i dha diasporën dhuratë VMRO-së

Sot pasdite me 78 vota pro dhe 2 kundër u miratua nevoja për Propozim Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Kodit Zgjedhor me çka ky Propozim Ligj kalon leximin e pare. Në këtë seancë parlamentarët kishin një debat të ashpër në lidhje me këtë temë.

“Nuk mund të ketë zgjedhje pa regjistrim të mirëfilltë të popullsisë, sepse pa revidim të listës së zgjedhjeve Qeveria ka në dorë rreth 300 mijë votues të cilët i përdor për nevojat e veta, qoftë për të krijuar shumicën parlamentare të sajën, qoftë për ti dhuruar fitoren të preferuarve të cilët dëshiron ti ketë në qeveri që në rastin konkret është BDI”, tha  Ziadin Sela, deputet i PDSH-së.

Atij iu përgjigj strugani tjetër nga radhët e BDI-së, Arben Labënishta, duke quajtur pikërisht PDSH-në si partner strategjik të VMRO-së.

“Këto janë vetëm spekulime dhe të pavërteta. Elektorati shqiptar është i vetëdijshëm dhe arrin t’i kuptoj lojërat që duan të bëjnë nga kjo foltore. Nëse do kthehemi në të kaluarën do të shohim që të preferuar dhe partner strategjik BDI nuk ka pasur, por ka qenë populli, ndërsa PDSH-ja në mënyrë shumë të hapur e ka thënë se partner i tyre strategjik ka qenë VMRO-ja, jo vetëm kaq por ata shkuan deri aty sa ti falin vota për të bërë një deputet më shumë, shqiponja jonë krenare u lidh bashkë me luanin për të treguar strategjinë që kishit ju”, u shpreh  Arben Labënishta, deputet i BDI-së.

Sela në kundërpërgjigje tha se populli nuk i ka dhënë votën BDI-së që të bëhet opozitë, duke theksuar mënyrën e bllokimit të Propozim Ligjit për branitellat.

“Mirë do të ishte t’i përgjigjeni popullit  sa anëtarë ka rritur numri i anëtarëve të BDI-së në Kavadar e Shtip. Populli gjithashtu ju dha votë të qeverisni e nuk ju dha votë të bëheni opozitë në parlament. A e di ku e kam fjalën, ato metoda të bllokimit të ligjit për branitella janë metoda të opozitës ju duhet të keni metoda tjera, ndërsa ti personalisht i nderuar Llabunishta je shndërruar si katapultja e Talat Xhaferit”, tha  Ziadin Sela, deputet i PDSH-së.

Vërejtje kishte edhe për zgjedhjet në diasporë, ku në zgjedhjet e fundit u zgjodhën tre deputetë, të gjithë nga radhët e VMRO-së.

“Më habit fakti se si mundet një ministër shqiptar i Drejtësisë të lejojë që një ligj i tillë të vijë para deputetëve shqiptar. Më habit fakti që grupi parlamentar i BDI-së vetëm për shkak që propozues është ministër i tyre pa e shqyrtuar Propozim Ligjin deklaron se do ta mbështesë atë, ligj me të cilin shqiptarëve u vidhen shumë deputetë. Është e palogjikshme që nga diaspora të kemi tre deputetë maqedonas kur të gjithë e dimë se një deputet qoftë i BDI-së apo i PDSH-së duhet të ketë më shumë vota se sa ato tre të VMRO-së në diasporë” – tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Në vijë të ngjashme ishte edhe fjalimi i deputetit të RDK-së, Izet Zeqiri.

“Kur jemi te deputetët e diasporës, me të vërtetë është për të ardhur keq se si BDI i fali VMRO-së deputetët e diasporës. Ne sot kemi tre deputet; 1 nga Kanadaja, një nga Evropa dhe një nga Australia, ku pjesa dërmuese që veprojnë jashtë; janë më së shumti shqiptar. Kush e ka përgjegjësinë që nuk u organizua diaspora shqiptare që ne të kemi përfaqësues të tyre në Maqedoni, nuk do mend zv/kryeministri ka qenë shqiptar”, deklaroi Izet ZeqirI. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button