Pro apo kundër federalizimit të Maqedonisë?

Pro apo kundër federalizimit, kjo ishte tema e debatit të mbrëmshëm i organizuar nga klubi kulturor Sindikata në Librarinë e Çarshisë, në të cilin argumentet e veta i ballafaquan analisti Bashkim Bakiu dhe profesori Ljubomir Fërçkovski.

Bashkim Bakiu hapi debatin me një shqyrtim retrospektiv të arsyeve se pse Maqedonia është më mirë të shkojë drejt një federalizimi, ku do të formoheshin dy njësi federale më të mëdha, ajo shqiptare dhe tjetra maqedonase.

“Dështimi i aplikimit të modelit konsesual, faza e vonshme për implementimin e modelit integrativ dhe polarizimet dhe pozicionet simetrike të krijuara në mes shqiptarëve dhe maqedonasve mekanizmin e vetëm dhe sistem politik për të krijuar një sistem politik funksional është sistemi federativ. Ai nuk dallon shumë nga decentralizimi përveç se në sistem federativ kemi sovranitetin e ndarë në dy pjesë, që do të thotë se çfarë do modeli të federatës të zgjedhë Maqedonia, sado kudo shqiptarët do të kenë autonominë e vendosjes. Element tjetër i sistemit federativ është se kemi kushtetutë federative dhe një kushtetutë e specifikuar për njësitë e federatës” – tha Bakiu.

Nga ana tjetër, profesori Ljubomir Fërçkovski mbronte tezën se Maqedonia nuk duhet të federalizohet, dhe se një gjë e tillë rrezikon shpërbërjen definitive të shtetit dhe bashkëngjitje të njësisë federative shqiptare drejt Shqipërisë ose Kosovës.

“Opsioni për federalizimin e Maqedonisë është i papërmbajtshëm. Njësitë që do të krijohen nga federalizimi nuk janë pjesë të qëndrueshme, që do të mundin vetvetiu të qëndrojnë si Republika në suaza të federatës, dhe faza e federalizimit, nëse ndodh, do të jetë vetëm fazë e shkurtër deri në shpërbërjen e shtetit në tërësi. Nëse ndodh kjo humbësit më të mëdhenj do të jenë maqedonasit pasi njësia shqiptare ka opsione. Në një situata të tillë kombinimet irredentiste hapen dhe ajo pjesë e bashkësisë shqiptare në Maqedoni do të orientohet nga Kosova ose Shqipëria, më shumë nga Kosova sipas meje” – tha Fërçkovski.

Ai gjithashtu potencoi se në një situatë të tillë, shqiptarët që do të mbesin ne “pjesën maqedonase” dhe maqedonasit në “pjesën shqiptare” do të largohen me dhunë, që do të thotë se do të kemi pastrim etnik, që është e ndaluar sipas të gjitha parimeve ndërkombëtare.

Një ndër argumentet e Bashkim Bakiut, për atë se pse Maqedonia duhet të federalizohet, ishte mungesa e vetos nga shqiptarët e Maqedonisë, gjegjësisht kufizimi i saj në vetëm disa ligje të cilat njihen si “Ligje me Badenter”. Si rast konkret ai përmendi Ligjin për branitellat për të cilin shqiptarët nuk kanë të drejtë vetoje. Përgjigjeja e Fërçkovskit ishte se elita politike shqiptare ka mundësi që edhe për branitellat po edhe për çështje tjera të vendos veto më të madhe: ta lëshon qeverinë. Në elaborimin e tezës se pse partia aktuale në pushtet nga pala shqiptare, BDI nuk lëshon qeverinë, Ljubomir Fërçkovski tha se BDI mund të duron shumë nënçmime që sipas tij e ka treguar dhe me heshtjen e tyre për shumë çështje, që e bën Ali Ahmetin politikan të përgjegjshëm sipas Fërçkovskit, bile edhe më tepër se sa duhet të jetë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button