Medalistet e Minskut arritën në Kosovë: Ky është veç fillimi për Lojërat Olimpike

Pikënisje për Lojërat Olimpike të vitit 2020 e konsiderojnë suksesin e Kosovës në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”, dy nga tri fitueset e medaljeve në xhudo, Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova, njofton Koha.net.

Dy garueset, bashkë me trajnerin Driton Kuka, kanë arritur në Prishtinë, pak ditë pasi Kelmendi fitoi të artën e Gjakova të argjendtën në kategoritë e tyre. Loriana Kuka që fitoi të bronztën do të vijë më vonë.

Trajneri Kuka ka thënë se kjo është pikënisje e fuqishme për cakun, Lojërat Olimpike 2020.

“Ka qenë performancë e shkëlqyeshme me katër garues e tri medalje. Sikur Distria Krasniqi të garonte, ndoshta do të arrinim edhe medaljen e katërt”, ka thënë Kuka teksa ka shtuar se emocione të mëdha ka pas për suksesin e Loriana Kukës që fitoi të bronztën në kategorinë deri 78 kilogramë.

“Më ka sjell emocion sepse ishte vajza e vëllait tim dhe ai ishte trajneri im e unë ja dëshmova se jam më i mirë si trajner”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, xhudistet kampione janë shprehur të lumtura për sukseset, ndërsa kanë shtuar se tash shpresojnë për sukses në Lojërat Olimpike.

“Po ndihem mirë sigurisht. 14 muaj isha jashtë garave dhe ishte shumë e vështirë, nga ana psikike. Kjo është pjesa më e vështirë pas lëndimit. Fatmirësisht jam kthyer shumë mirë. Arrita të bëhem e para. Po tregon se po kthehem në formën që kam qenë”, ka thënë Majlinda Kelmendi.

“Doja medaljen e artë, por pavarësisht të gjithave jam e kënaqur që gjithçka shkoi në rregull. Humbja në finale erdhi jo se kundërshtarja ishte më e mirë, por për shkak të një gabimi në fillim. Medalja më motivon edhe më shumë. Synimin e kemi në Tokio”, ka shtuar Gjakova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button