Kreu i BFI-së Rexhepi nuk është paraqitur në Prokurori, është sëmurë avokati i tij

Risi i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Sulejman Rexhepi, përsëri nuk i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë për t’u marrë në pyetje në lidhje me paraqitjet për gjuhë të urrejtjes ndaj maqedonasve dhe gjykatëses që ka miratuar vendim për shkarkimin e tij nga posti i reisit, njofton Portalb.mk.

Arsye për mosparaqitje në Prokurori, ka qenë gjendja jo e mirë shëndetësore e avokatit të Rexhepit, i cili nëpërmjet telefonit ka kërkuar që marrja në pyetje e reisit të shtyhet në një datë tjetër.

“Gjatë ftesës së fundit, avokati i personit të ftuar nëpërmjet telefonit ka kërkuar që të shtyhet marrja në pyetje, me arsyetimin se për arsye personale shëndetësore nuk mundet të marrë pjesë në marrjen në pyetje të klientit të tij. Reisit të BFI-së do t’i dërgohet ftesë e re për marrje në pyetje në termin tjetër”, thonë për Portalb.mk, nga Prokuroria.

Paraprakisht, Rexhepi, për shkak të muajit të Ramazanit tre herë nuk u është përgjigjur thirrjeve të Prokurorisë që të japë deklaratë në lidhje me paditë për gjuhë të urrejtjes, ndërkaq nëpërmjet avokatëve të tij ka dërguar sqarim se nuk mundet të paraqitet për shkak të obligimeve fetare.

Për kryetarin e BFI-së ka lëndë për gjuhë të urrejtjes në dy raste. Rasti i parë ishte në fillim të muajit prill kur ai në hedhjen e gur-themelit të xhamisë në fshatin Arnaqi i ka ofenduar maqedonasit.

“Kemi vend në Llazhec të Manastirit mbi 100 vjet nuk kanë xhami. Merrni me mend çfarë egërsirash janë ky popull që bashkëjetojmë me këto. Këto janë egërsira të pashembullta, prandaj nuk kanë identitet edhe s’do të kenë kurnjëherë. Pa marrë parasysh se krejt ne kemi dashur t’u ndihmojmë, nuk ndihmohet i pashpirti, nuk vetëdijesohet. Vendi Llazhec, kush e di dhe kush jo, është katund multientik ka muslimanë, ka edhe ortodoksë, ka maqedonas ose si e ndiejnë veten ato nuk e di unë si e quajnë dhe shqiptarë. Ka dy kisha, numri i banorëve është i barabartë, ka dy kisha dhe asnjë xhami. Xhamia ku ka figuruar e ka vendin dhe ai është vakuf, pronë e Bashkësisë Fetare Islame. Njëqind dallavere të nëntokës i bëjnë, ende nuk janë vetëdijesuar, me izën të Zotit, InshAllah Zoti nuk ma merr shpirtin pa e hedhur gurthemelin në Llazhec”, deklaroi Rexhepi, për të cilën deklaratë Komiteti i Helsinkit ka dorëzuar padi penale.

Më vonë Rexhepi është arsyetuar se është interpretuar gabimisht, gjegjësisht se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti. Sipas tij, fjalët “popull egërsirë dhe pa identitet” nuk kanë qenë për maqedonasit, por vetëm për banorët e fshatit Llazhec.

Vetëm dhjetë ditë më vonë, reisi ka pasur edhe një deklaratë, të cilën Prokuroria e ka ngjitur në lëndën e parë dhe do të kërkojë nëse ka pasur gjuhë të urrejtjes. Këtë herë, deklarata e Rexhepit ishte në periudhën e trazirave në kreun e BFI-së dhe kanë të bëjnë me gjykatësen e cila miratuar vendim se BFI-ja ka reis të ri.

“Dëgjova se ka problem me shëndetin. Nuk më vjen keq, të tillat le të vdesin”, deklaroi reisi.

Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, personi që “shpërndan materiale raciste dhe ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik”, dënohet me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button