Danaj: Shovinizmi maqedonas kërcënim për konflikt të ri në Maqedoni

Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, në një deklaratë për portalin Shqiperianatyrale.com, është shprehur se rajoni i Ballkanit, përkundër propagandës demagogjike të Brukselit, ndodhet në prag të trazirave dhe konflikteve të cilat mund të shndërrohen në Luftën e Tretë Ballkanike. Deklarata e Danaj vjen pas një studimi 6 mujor të Institutit të Prognozave Rajonale. Sipas Danaj, ka disa vatra në rajon të cilat janë të gatshme për të ndezur zjarrin e trazirave dhe të luftës. Gjithmonë sipas tij, një ndër ta është edhe Maqedonia.

“Kërcënimet e Gruevskit ndaj shqiptarëve se ata nuk duhet të kërkojnë më shumë se sa mund tju japë ai në shtetin e tij, urrejtja e tij ndaj UÇK dhe dëshmorëve të saj të vitit 2001, vendosmëria e tij për të mos u tërhequr nga kjo vijë përballë asnjë presioni, treguan dhe vërtetuan para opinionit publik shqiptar në Maqedoni, përballë bashkësisë ndërkombëtare se shovinizmi maqedonas nuk ka ndërmënd të pranojë bashkejetesë mbi baza të barabarta me shqiptarët. Në të kundërt, Gruevski foli hapur dhe thjesht. Ai i kërcënoi shqiptarët dhe politkanët shqiptarë. Ai u shpreh hapur se nuk trëmbet, se nuk tërhiqet, se nuk mund të vendosë shënjën e barazimit midis branitellave dhe ish-luftëtarëve të UÇK. Këta të dytët, ai nuk hezitoi ti konsiderojë terroristë. Thjesht Gruevski u shfaq si një nacional socialist”- ka thënë Danaj.

Ai ka theksuar se mënyra e vetme për të sjellur paqen në rajon dhe për të parandaluar konflikte të reja është që Bashkësia ndërkombëtare të lejon bashkimin e shqiptarëve në një shtet.

“Para një shekulli, tre shqiptarë mëndje ndritur, të quajtur Mehmet Konica, Filip Noga dhe Rashi Dino, në Memorandumin drejtuar mbledhjes kolonialiste të Londrës në Janar 1913, midis të tjerash i shkruanin se: Po ti pengoni shqiptarët që të bashkohen, ne ju njoftojmë se ky rajon nuk do të ketë paqe për një shekull. Londra i pengoi shqiptarët duke i coptuar në mënyrë kriminale dhe për një shekull, rajoni nuk pati qetësi. Pra zgjidhja është e thjeshtë për Brukselin dhe Uashingtonin: Zëvëndësoni boshtin Beograd-Athinë, me Trekëndëshin Beograd-Tiranë-Athinë, lejoni, Shqipërinë Natyrale, lejoni bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Vetëm atëhere, vatrat e zjarrit do shuhen. Boshti që krijuat për gati një shekull prodhoi kriza dhe luftë” – ka shtuar Danaj./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button