Regjistrimi i popullatës vitin tjetër?

Edhe një vit pas dështimit të procesit të regjistrimit të popullatës në Maqedoni, institucionet heshtin. Një mbetet e qartë, ky proces nuk ka për të ndodhur këtë vit, kjo mund të jetë ndoshta vitin e ardhshëm, thotë zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, i cili vitin e kaluar ishte edhe nënkryetar i KSHR-së.

“Për këtë vit jo nuk ka paralajmërime, të shohim ndoshta vitin e ardhshëm mund të ketë regjistrim të popullatës” tha Bujar Osmani.

Nga Partia Demokratike Shqiptare janë të mendimit se ky proces duhet të ndodh sa më parë, bile para sjelljes së Kodit të ri zgjedhor, sepse duhet të pastrohen listat zgjedhore me 200 mijë votuesit fiktiv që janë maqedonas, tha deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu.

“Operacioni i regjistrimit është një operacion shumë i rëndësishëm statistikor në Maqedoni. Po për shqiptarët rëndësinë e ka edhe më të madhe se numrat statistikor, sepse me Kushtetutën dhe ligjet ekzistuese në Maqedoni gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët është e lidhur me numra, dhe përqindjen e tyre. Gati po bëhen një vjet nga dështimi i regjistrimit të popullsisë, dhe mundohen që këtë dështim institucionet shtetërore që ishin të pa afta ta realizojnë ta lënë në harresë. Tash paraqiten probleme të mëdha  se nuk kemi regjistrimin e popullatës, në veçanti me propozim ligjin për kodin zgjedhor, për të pasur Kod zgjedhor evropian nevojiten kushtet e pastrimit të listave zgjedhore, për të ardhur deri te pastrimi i listës zgjedhore, duhet të ndodh regjistrimi, vetëm atëherë mund të pastrohen votuesit fiktiv që janë mbi 200 mijë maqedonas” tha Fazliu.

Por profesori universitar Mersel Bilalli mendon se dështimi i këtij procesi ishte i kurdisur nga partitë në pushtet vetëm për përfitime politike.

“Politika e dy strukturave udhëheqëse të pushtetit, pasi realisht kemi një shpërngulje masovike edhe të popullatës maqedonase edhe shqiptare kështu që numri është dukshëm më i vogël  sesa mund të shërbejë si nivel i marketingut të dy partive qofshin maqedonase apo shqiptare, ndodhi pra me poenë politike që ky proces të anulohet’ thekson Bilalli./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button