Siri, fëmijët torturohen mizorisht!

Fëmijët në Siri janë nënshtruar ndaj një dhune të paparë, të keqtrajtimit, rrëmbimit dhe burgosjes, raporton organizata humanitare britanike, “Save the Children”.

Raporti është shkruar nga dëshmitë e e fëmijëve të mbijetuar, refugjatë nga Siria, të cilët gjatë luftës që u ndez para një viti kanë përjetuar mizori të tmerrshme. Organizata i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që në mënyrë më aktive të përfshihen në shpëtimin e fëmijëve të pafajshëm.

Sipas raportit, pothuajse çdo fëmijë me të cilin humanitarët kanë biseduar, ka dëshmuar për vrasjen e së paku një anëtari të familjes. Sipas dëshmisë së një 15 vjeçari, pasi është arrestuar nga forcat e Bashar al-Assadit, ushtarët kanë abuzuar me të, madje i kanë fikur cigaret në lëkurën e tij.

Një fëmijë tregon se si është keqtrajtuar me elektroshok, i mbyllur në një çeli me kufoma që kalbeshin. Ndërsa, një tjetër thotë se ka parë një fëmijë 6 vjeç se si ka vdekur si pasojë e torturës sistematike dhe urisë.

“E kam parë tek vdiste. Ka duruar vetëm tri ditë të torturës. Ndaj tij janë sjellë si ndaj një qeni”, thotë ai.

“Rrëfimet që kemi dëgjuar janë të tmerrshme. Fëmijët më të rinj se 10 vjeç janë torturuar, janë lënë pa ushqim, në kushte johumane, duke u detyruar që t’i ndihmojnë ushtarët në eliminimin e kufomave të civilëve të vrarë”, thotë Cat Carter, zëdhënëse e organizatës “Save the Children”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button