Wohlers: Presioni qeveritar ndaj medieve në Maqedoni është real

Ambasadori Paul Wohlers i cili sot është gjendur në Kosovë, ka komentuar pozitën e medieve në Maqedoni dhe në Kosovë duke theksuar se presioni qeveritar dhe kriza ekonomike janë problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët e dy shteteve fqinje.

“Gazetarët e Maqedonisë dhe të Kosovës ballafaqohen me probleme afërsisht të njëjta, pasi që u përkasin shteteve me një demokraci të re dhe në ndërtim e sipër. Ato ballafaqohen me çështje, probleme e presione të njëjta, sidomos mediat, pavarësisht nëse flitet për problemet në shoqëri, si tensionet etnike, korrupsioni e tjera. Shtypja që qeveritë e bëjnë mbi gazetarët dhe redaktorët është reale si dhe kriza ekonomike me të cilën ballafaqohen shumica e medieve”, ka thënë ambasadori Wohlers.

Ai së bashku me ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë Tracey Jacobson kanë mbajtur fjalim para gazetarëve kosovarë dhe të Maqedonisë në punëtorinë “Mediat dhe kohezioni shoqëror” që po mbahet këto ditë në Prishtinë, transmeton Portalb.

“Shumëllojshmëria në Kosovë dhe Maqedoni është pjesë e rëndësishme që sjell begati kulturore shoqërore e historike. Por, këto dallime, etnike, fetare dhe shoqërore mund të keqpërdoren nga individë të caktuar të cilët duan të shkaktojnë mospajtime dhe përçajnë komunitetet” tha Wohlers duke theksuar se në këto situata mbetet që gazetaria të mbajë rolin e përgjegjësisë për hulumtimin e vërtetë të ngjarjeve dhe rrethanave dhe prezantimin e tyre para publikut.

Ndërkaq Jackobson tha se gazetaria nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme sesa tani kur ka një shpërthim i medieve sociale. 

“Mediat sot nuk janë vetëm ato tradicionale, si gazeta, TV dhe radio, pasi që është shtuar numri i medieve që transmetohen përmes internetit apo medieve ‘online’. Por, që roli i tyre të jetë me ndikim pozitiv të shoqëri dhe rrjedhat e përgjithshme, nevojitet që të ketë një gazetari të përgjegjshme dhe objektive” tha ambasadorja Tracey Jackobson. 

Në punëtorinë që mbahet në Prishtinë gazetarët nga Maqedonia dhe Kosova mësojnë për përdorimin e mundësive të reja të teknologjisë për informimin sa më të shpejtë të publikut. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button