Krasniqi: Kosova nuk duhet të shkojë në bisedime, pa e ditur se për çka

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Kosova nuk duhet të shkojë në bisedime pa e ditur se për çka duhet të bisedojë. “Ne e kemi thënë moti se Kosova duhet ta ketë të përfunduar planin e vet dhe duhet të dijë se për çka do të bisedohet e për çka jo”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi. 

Për ekzistimin e një plani të tillë, Krasniqi ka sugjeruar të kërkohet përgjigje nga kabineti qeveritar, por ka shtuar se Kuvendi nuk ka marrë ndonjë plan për bisedime nga Qeveria. Ndërkaq, ai nuk ka dashur të komentojë deklaratat e kryeministrit serb, Ivica  Daçiq, për ndarje të Kosovës, duke thënë se të gjithë e dinë për qëndrimet dhe të kaluarën e tij. 

Këto komente Krasniqi i ka bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku është vendosur që debati për procesin e privatizimit, i iniciuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, të mbahet më 3 tetor, ndërkaq seanca tjetër e rregullt do të mbahet me 4 dhe 5 tetor, ku përpos debatit të rregullt, pritet që të ketë edhe një interpelancë të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e kërkuar nga LDK-ja./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button