Xhelili: Bejta ka urdhëruar rrënimin e objektit “Llovec”

Administrata e Komunës së Gostivarit ka akuzuar sot ministrin për Vetëqeverisje Lokale, Nevzat Bejta, se qëndron pas rrënimit të objektit “Lovec” në këtë qytet.

Sekretari i Komunës, Naxhi Xhelili, ka sqaruar në një konferencë për shtyp se, punimet për rrënimin e objektit në fjalë po kryhen nga Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe se kjo e fundit, i ka marrë tash e tetë muaj administratës së Rufi Osmanit kompetencat në fushën e inspektimit ndërtimor.

“Sipas dokumentacionit të cilin e posedojmë, ministri aktual i pushtetit lokal Nevzat Bejta, në mbledhjen e 8-të të Qeverisë së R. së Maqedonisë dt. 31.08.2011, ka kërkuar nga Qeveria e RM-së që t’i merren kompetencat Komunës së Gostivarit dhe në bazë të kësaj kërkese të Nevzat Bejtës, është duke u ekzekutuar prishja e objektit ‘LOVEC’”, ka deklaruar Xhelili, sipas të cilit, rrënimi i këtij objekti me 9 kate, do t’i shkaktojë dëm ndërtesës së Komunës dhe objekteve përreth.

Komuna e Gostivarit, përderisa i kishte kompetencat e Inspeksionit të ndërtimit, ia tërhoqi vërejtjen pronarit të objektit që të ndërpresë vazhdimi i ndërtimit të objektit në etazhet e mësipërme dhe kështu të eliminonte mundësinë e shkaktimit të dëmit material siç është aktualisht,  mirëpo pronari i objektit i refuzonte kërkesat e Komunës dhe të Inspeksionit komunal të ndërtimit.

Ne si Komunë, kemi mbajtur qëndrim shumë pozitiv, por vetëm ligjor, që tu jepet mundësi maksimale e legalizimit të objekteve të cilat nuk posedojnë leje ndërtimi duke respektuar Ligjin për legalizimin e objekteve të miratuara nga Kuvendi i Maqedonisë në vitin 2011.  Duhet ta theksojmë se Inspektori i autorizuar ndërtimor i Komunës së Gostivarit, i ka ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore, duke filluar prej inspektimit në vendngjarje, përpilimit të procesverbalit, sjell aktvendim për prishje dhe me konkluzion lejon realizimin e rrënimit të objektit në fazën shumë të hershme, kur pasojat do të ishin minore.
Në kohën kur legalizohen qindra mijëra objekte të egra në nivel shtetëror, respektivisht mbi 8 mijë në territorin e komunës së Gostivarit, është absurde që të ndërmerren kësisoj veprimesh.

“Përsërisim edhe njëherë me rezignim, se në këtë kohë të krizës së madhe ekonomike dhe sociale dhe kur është në fazën e zbatimit të plotë Ligji për legalizimin e objekteve jolegale është absurde të prishen objekte 8-9 katëshe, duke shkaktuar dëm të madh ekonomik dhe duke demonstruar forcë pa mos informuar aspak komunën e Gostivarit për këtë veprim.
Po ashtu përsërisim edhe një herë se ky objekt prishet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me kërkesë të Nevzat Bejtës – ministër i pushtetit lokal dhe se Komuna e Gostivarit nuk ka kurrfarë lidhje me këtë veprim”, theksoi sekretari Naxhi Xhelili. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button